Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 08:14

KOSOVË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u takua të martën në New York me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopoulos.

Në takimin me ministrin e Jashtëm të Greqisë, kryeministri e falënderoi atë për qëndrimin korrekt që Greqia ka mbajtur karshi procesit të integrimit evropian të Kosovës. “Ndonëse nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, Greqia asnjëherë nuk ka qenë pengesë në rrugëtimin tonë drejt integrimit në BE”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri ka thënë se relacionet mes Greqisë dhe Kosovës duhet të fuqizohen përmes pranimit të realiteteve të reja të krijuara në Ballkan. “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, është realitet politik dhe juridik. Pavarësia e Kosovës ka prodhuar më shumë paqe dhe stabilitet në rajon”, tha kryeministri Thaçi duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia. (LajmeShqip.com)