Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 19:34

New York – Kosova ka përmbyllur një etapë të rëndësishme, atë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, por ky proces merr kuptim vetëm me hapjen e kapitullit të ri, atij të integrimit evropian.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit që ka patur të hënën në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Neë York me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton.

“Relacioni mes Kosovës dhe BE-së duhet të kalojë përtej kurtuazisë dhe fjalëve të mira, në një relacion konkret kontraktual përmes procesit të Stabilizim-asocimit”, ka thënë kryeministri Thaçi në këtë takim.

Kryeministri e njoftoi përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së edhe për angazhimin gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës dhe tërë spektrit politik në përmbushjen e detyrimeve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

“Qytetarët e Kosovës janë qytetarët më të izoluar të Evropës. Ne nuk po kërkojmë status të privilegjuar e as proces të përshpejtuar. Ne po punojmë në përmbushjen e reformave që derivojnë nga udhërrëfyesi dhe presim që edhe BE të mos vonohet në këtë proces“, deklaroi kryeministri Thaçi. (LajmeShqip.com)