Lajme Shqip Sunday, 19 August 2012 16:44

Prishtinë – Nën udhëheqjen e Francës, presidente e radhës për këtë muaj, Këshilli i Sigurimit në një seancë të paraditës të martën do të shqyrtojë raportin periodik për Kosovën të Skeretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Vendet anëtare do të reflektojnë qëndrimet e tyre për raportimin për zhvillimet tremujore.

Raporti i Sekretarit Ban u bënë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të jenë më konstruktiv në tejkalimin e dallimeve dhe të zbatojnë në jetë marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik, transmeton RTK.

Kosovën edhe kësaj radhe pritet ta përfaqësojë shefi i diplomacisë, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, ndërsa Serbia ka paralajmëruar një delegacion nën udhëheqjen e kryeministrit të ri, Ivica Daçiq.

Mediat raportojnë se në këtë mbledhje do të merr pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sekretari Ban flet në raport për përmbushjen e pjesshme dhe të munguar të marrëveshjeve të arritura në dialogun e deritashëm dhe vëren se në bashkëpunimin rajonal ”marrëveshja nuk ka përcaktuar në mënyrë precize përdorimin e fusnotës të cilës palët i kanë bërë interpretime të ndryshme që ka çuar në probleme pjesëmarrjeje të Prishtinës dhe Beogradit në një seri takimesh rajonale”.

“Jam i shqetësuar për vështirësitë që po dalin në zbatimin e marrëveshjeve”, shkruan Ban.

Ai thotë se shumë vështirësi në Kosovë nuk janë vetëm pasojë e dallimeve midis palëve, por edhe rezultat i mungesës së konsensusit ndërkombëtar. (LajmeShqip.com)