Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 16:52

Prishtinë – Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë më 22 mars raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon për Kosovën.

Lajmin e bën të ditur “RTK”, sipas të cilës Kosova do të përfaqësohet në këtë takim nga vetë kryeministri Hashim Thaçi, ndërkohë që i pranishëm është planifikuar të jetë edhe ai serb, Ivica Daçiç.

Gjatë muajit mars organi ekzekutiv i Kombeve të Bashkuara drejtohet nga presidenca ruse dhe ka qenë pikërisht ambasadori rus Vitalij Churkin që ka bërë të ditur axhendën e tij.

Raporti i fundit i hartuar nga sekretari Ban Ki Moon përfshin periudhën 16 tetor-15 janar dhe trajton zhvillimet në Kosovë, mes të cilave edhe dialogun që po zhvillohet me Serbinë, që sipas “RTK konsiderohet “një progres i rëndësishëm”.

“Rivendosja e bisedimeve përbën një sinjal të fuqishëm se të dyja palët po angazhohen në një dialog paqësor për tejkalimin e peshës së konfliktit të kaluar”, thotë raporti.

I pyetur rreth mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në OKB, ambasadori Churkin ka vlerësuar se, Kosova ende nuk është njohur nga numri i duhur i shteteve, përfshirë këtu ato “të rëndësishme” që bëjnë pjesë në Këshillin e Sigurimit.

Diplomati rus i është referuar këtu vendit të tij dhe Kinës, pa rekomandimin e të cilave Asambleja e Përgjithshme nuk mund të votojë për pranimin e një vendi të ri.(LajmeShqip.com)