Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 18:37

Prishtinë- Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka filluar një seancë për Kosovën, ku diskutohet raporti tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë fjalës së tij paraqiti zhvillimet pozitive në vend në procesin e rëndësishëm të konsolidimit të shtetësisë dhe në transformimin ekonomik dhe social.

Sipas MPJ-së kosovare, një pjesë e fjalimit të ministrit Hoxhaj u përqendrua në vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë territorin e shtetit.

Në këtë seancë, ministri Hoxhaj dënoi dhunën e ushtruar mbi ushtarët e KFOR-it nga strukturat paralele ilegale në veri, si dhe kërkoi nga të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të OKB-së, që të rrisin presionin mbi Serbinë për shpërbërjen e plotë të këtyre strukturave kriminale, si parakusht për stabilitet dhe paqe në Ballkan.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri Hoxhaj do të takohet me përfaqësues të shumë shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me diplomatë dhe personalitete të jetës publike.