Lajme Shqip Saturday, 04 August 2012 13:58

Prishtinë – Oferta më e re e Presidentit të ri të Serbisë për Kosovën ka marrë përgjigje nga Qeveria në Prishtinë.

Tomislav Nikolic ka thënë se ka një plan për autonomi substanciale për Kosovën, duke thënë se në këtë rast shqiptarët do të jetonin sikur gjermanët në Itali apo Belgjikë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka porositur Presidentin e ri serb të mos sheh ëndrra të viteve të 90’të, kur udhëheqësit kanë menduar për gjëra të tilla.

“Më përpara e kisha ftuar Nikolicin që të lexojë ndonjë libër të ri për çështjen e rregullimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ndërshtetërore sesa të merret me ëndrra”. “E kisha ftuar të mos sheh ëndrra ose ëndrra të viteve të 90-ta mos t`i përsëriten në gjumë. Zakonisht ndjenja e kompensimit vjen në pleqëri dhe duket se atij i ka ardhur, sikur ata njerëzit që i shohin filmat e vizatur si fëmijë dhe fillojnë me iu përsërit kur të plaken”, ka ironizuar Kuçi idenë e Nikolicit.

Por, Presidenti i ri i shtetit serb ka thënë se plani i tij për shqiptarët e Kosovës është që të kenë të drejta sikur gjermanët në dy vendet e BE’së. “Do të propozoj, kur të merremi vesh, të jetojnë si gjermanët në Itali apo gjermanët në Belgjikë. Pa vendimin e gjermanëve, Parlamenti belg nuk mund të vendosë asgjë. A është pak kjo?”, ka pyetur Nikolic dhe ka dhënë vetë përgjigje.

“Pse duhet të jenë shtet, kjo është aq e pakuptimtë. Disa më kanë thënë në Londër se në Olimpiadë po merr pjesë Kina, Taipei kinez, Hong Kongu kinez dhe unë kam thënë se nëse institucionet e Prishtinës paraqiten si Kosovë serbe, mund të marrin pjesë në Lojërat Olimpike”, ka thënë Nikolic për “Danas”.

Zëvendëskryeministri Kuçi jep përgjigje edhe për këto ide të Nikolicit. Ai thotë se presidenti serb nuk u beson as fjalëve të veta. ”Është e dhimbshme kur një udhëheq i një vendi flet gjëra që nuk i beson as vetë. Deklaratat e tilla, po them krejt sipas librave fetarë, duke kujtuar momente të këqija krijojnë dhimbje. Përndryshe, asnjë efekt, asnjë rrezik, as mos të bëhet merak Nikolic e dëgjon apo nuk e merr gjumi për këto deklarata”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i Qeverisë së Kosovës thotë se Nikolic përpos ëndrrave po mundohet të jetësojë diçka që i ka mbetur nga vitet e luftërave në Ballkan. “Njeriu në jetë mund të dëshpërohet një herë e jo dy herë. Ai duhet të mendojë të sillet si njeri i një shteti tjetër dhe duhet të tentojë jo të kënaqë mendimet e tij që i ka mbetur merak para njëzet vitesh, por ta sheh perspektivën”, ka deklaruar Kuçi.

Ai ka thënë se ndaj çfarëdo veprimi të Serbisë, Kosova është e gatshme të përgjigjet. “Ne do ta mbrojmë në çdo rast sovranitetin dhe tërësinë territoriale dhe barazinë tonë si shtet i pavarur, ndërsa prej tyre nuk presim që të na ofrojnë çokollata, në veçanti prej atyre që na kanë ofruar bomba dhe dhunë para disa vitesh në Kosovë”, ka thënë ai.

Deklaratat e zyrtarëve të Beogradit dhe Prishtinës janë shpeshtuar prejse ndërkombëtarët kanë kërkuar dialog politik mes dy vendeve, duke përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes së veriut. Por, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se me shtete tjera nuk mund të bisedojnë për punët që kanë përfunduar, siç janë organizimi politik dhe territorial i Kosovës. “Kosova mund të bisedojë me të gjitha shtetet si shtet sovran dhe i pavarur për bashkëpunim rajonal, qysh me hy në BE, qysh me ec bashkë dhe qysh me e ba demarkacionin e kufirit”, ka thënë ai.

Por, zyrtarët ndërkombëtarë, përfshirë Presidentin e BE’së, Shefin e OKB’së, kanë qartësuar se Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë për zgjidhjen e problemit të veriut. Burime ndërkombëtare i kanë thënë Gazetës Express se Shefja e Politikës së Jashtme të BE’së, Chatherine Ashton, po përgatitet për t`i takuar presidentët e Kosovës dhe Serbisë. Sikurse Nikolic, edhe Jahjaga është shprehur e gatshme të takohet dhe të flasë për problemet me të cilat përballen dy shtetet. Diplomati i BE’së ka thënë se pos takimit të nivelit më të lartë politik, para se të nisë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të zbatohet Marrëveshja për menaxhimin e integruara të kufijve, duke përfshirë edhe pjesën veriore.

Sipas tij, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Finlanda, Franca kanë sqaruar pozicionin e tyre se nuk do të lëshojnë pe përballë Serbisë pa pasur lëvizje pozitive në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ai parashikon se me zbatimin e IBM’it do të shuhen pritjet e serbëve të veriut se kësaj pjese do t`i jepet një status i republikës ose ndarjes nga Kosova. “Veriu nuk ndahet e as nuk merr statusin e republikës. Por, një status të veçantë do të ketë, sidomos sa i përket policisë, shëndetësisë dhe arsimit”, ka thënë ky diplomat. (LajmeShqip.com)