Lajme Shqip Saturday, 15 August 2015 09:43

Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi Bërthamor ka përzgjedhur Komunën e Obiliqit për të vendosur disa mbetje të rrezikshme. Por, këtë po e kundërshtojnë zyrtarët komunalë dhe këshilltarët e Kuvendit të kësaj komune.

Drejtori për Mbrojtje të Mjedisit, Arben Berisha, thotë se janë të vendosur që të kundërshtojnë çdo iniciativë të kujtdo qoftë që Obiliqit t’i shtohet edhe një deponi e re me mbetje të rrezikshme. Sipas tij, kjo Agjenci as që i ka informuar komunarët e saj për këtë vendim.

“Në bazë të informatave që kemi nga dora e tretë, jo drejtpërdrejt, Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi Bërthamor e ka përzgjedhur si lokacion vendin (në Obiliq, afër Institutit të Mjekësisë së Punës-IMP) për të vendosur mbetje të rrezikshme, e që ne e kontestojmë dhe për ne është e papranueshme. Ato janë mbetje bërthamore që janë me rrezatim të rrezikshëm në tërë territorin e Kosovës dhe ata mendojnë t’i stacionojnë aty për një kohë afatshkurtër përderisa të kryhet lokacioni që është i përzgjedhur dhe më duket i paguar nga Banka Botërore diku te Goleshi do të jetë ai bunkeri”, ka thënë Arben Berisha.

Sipas tij, kjo deponi nuk mund të vendoset në Obiliq pa e marrë edhe miratimin e tyre.

“Për ne është e papranueshme dhe unë për këtë e kam dërguar edhe një shkresë. Unë si drejtor i Ambientit në bazë të kompetencave që kam do të përcjell edhe te qytetarët shqetësimin tonë. Kjo është e papranueshme dhe për momentin kjo nuk mundet me u vendos pa e marrë edhe miratimin tonë. Ne do t’i provojmë të gjitha mundësitë tona për të ndërmarrë masa për të mos lejuar me vendos këto mbetje këtu”, është shprehur drejtori Berisha.

Kundër kësaj deponie janë edhe këshilltarët komunalë të Obiliqit. Ata gjatë një seance kanë kërkuar që për këtë të merret vendim që asnjë deponi që ka mbetje të rrezikshme të mos lejohet të ndërtohet brenda territorit të Komunës së Obiliqit.