Lajme Shqip Thursday, 30 August 2012 17:38

Prishtinë – Me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, presidentja Atifete Jahjaga ka theksuar përmes një deklarate se personat e pagjetur janë një nga plagët më të rënda të luftës së fundit në vendin tonë.

“Çështja e të pagjeturve është një trashëgimi e dhimbshme e luftërave në rajon dhe posaçërisht në Kosovë, një prej çështjeve që kërkon angazhimin e plotë dhe të pakursyer të të gjithë faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të pushojnë së angazhuari derisa të zbardhet fati i secilit person që u mungon tash e sa vjet familjarëve dhe ato vazhdimisht po angazhohen që të gjithë kriminelët të dalin përpara drejtësisë. Çështja e të pagjeturve është një nga çështjet më të rëndësishme që do të dialogohet me Serbinë dhe ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me përparësi.

Presidentja Jahjaga, që në fillim të mandatit, ka shtruar me kryeministrin dhe kryetarin e komunës së Prishtinës idenë për ngritjen e një obelisku në kujtim të dëshmorëve dhe personave të pagjetur të luftës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidencës.

***********************************

Kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi dhe ai i Prishtinë, Isa Mustafa, kanë vënë gurin themeltar të obeliskut në kujtim të të zhdukurve, i cili do të zëvendësojë fotografit e tyre dhe do të ndërtohet në oborrin e Kuvendit. Krasniqi duke folur në emër të popullit të Kosovës ka kërkuar drejtësisë për të gjithë të zhdukurit dhe dënim për
kryerësit e krimit.  Ndërkaq Isa Mustafa ka thënë se ndanë dhembjen më familjarët dhe ka kërkuar nga përgjegjësit që të punohet më shumë në zbardhjen e fati të të pagjeturve.

Edhe koalicioni “KOMRA”, i udhëhequr nga Natasha Kandiq, u ka bërë thirrje qeverive të vendeve të ish-Jugosllavisë që ta ndërpresin heshtjen për varrezat e fshehta.

*********************************

Kjo është një çështje e ndjeshme që i ka prekur mijëra njerëz në Kosovë dhe për EULEX-in është jashtëzakonisht e rëndësishme” ka deklaruar sot u.d. shef i misionit EULEX Andy Sparkes me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zhdukurve. Sipas tij kjo është arsyeja pse EULEX-i e ndihmon Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës në përpjekjet intensive të tij për ta ndriçuar fatin e të Zhdukurve.

“Përveç kësaj, EULEX/DML bashkërendojnë në mënyrë intensive me shoqatat e familjeve, me familje individuale dhe me aktorë të tjerë”, thuhet sipas InfoGlobe në komunikatën e EULEX-it.Sparks më tej theksoi se “që prej se EULEX-i ka filluar të punojë me Departamentin e Mjekësisë Ligjore në dhjetor 2008, familjeve të tyre u janë kthyer mbetjet mortore të 313 viktimave të konfliktit.

Këtu përfshihen 238 persona të zhdukur të cilët janë gjetur pas një pune intensive në terren (në më shumë se 340 operacione në terren), me anë të analizave laboratorike (punës intensive në obduksione dhe identifikime, përfshirë mbi 1660 mostra eshtrash të marra për analizë të ADN-së), si dhe me anë të shqyrtimit të materialit arkivor (mbi 5000 dosje)”. (LajmeShqip.com)