Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 11:51

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama me rastin e Ditës së Pavarësisë.

“Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj, ju shpreh urimet më të mira për ju dhe popullin shqiptar”, thekson Presidenti amerikan, Barack Obama në mesazhin e tij.

“Në këtë vit të njëzetë të rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe diplomatike, ne festojmë miqësinë e fortë mes dy popujve tanë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë në Afganistan. Ne e kemi ruajtur përkushtimin tonë të përbashkët e të palëkundur për sigurinë dhe begatinë e Ballkanit”, shkruan Obama.

Presidenti amerikan shton se, “Qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqimisht përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe presim ditën kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë integruar në një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe”.

“Ju lutem, pranoni urimet më të mira të popullit amerikan në përvjetorin e pavarësisë së vendit tuaj”, përfundon letra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me rastin e Ditës së Pavarësisë.