Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 10:30

Prishtinë – Ambasadori Akan Ismaili, i dorëzoi ditët e fundit  Presidentit të SHBA-së, Barack Obama, Letrat Kredenciale si Ambasador i Republikës së Kosovës në SHBA.

MPJ kosovare njoftoi sot se, “Presidenti Obama i uroi Ambasadorit dhe familjes së tij mirëseardhje dhe tha se pret që të punojnë së bashku në thellimin e marrëdhënieve tashmë të afërta në mes të dy vendeve”.

Presidenti Obama theksoi se, “Kosova është shtet i ri me të ardhme premtuese”.
Sipas tij, në katër vjetët që nga pavarësia, Kosova ka pasur arritje të mëdha, duke i realizuar obligimet e veta për krijimin e një shteti sovran, të pavarur dhe për të ndërtuar institucione demokratike dhe multietnike në shërbim dhe mbrojtje të interesave të të gjithë qytetarëve.

Ai shtoi se mbetet edhe shumë punë për t’u bërë dhe se iu bën thirrje liderëve të Kosovës që të mbeten të përkushtuar për vazhdimin e përparimit.

Sipas Presidentit Obama, Shtetet e Bashkuara do të mbeten përkrah Kosovës në përmbushjen e detyrave të vështira, të domosdoshme për avancimin e reformave.

Obama po ashtu shtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, SHBA-të do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet rajonale dhe ndërkombëtare, që të mund të marrë vendin e saj që i takon brenda Evropës, e tërësishme, e lirë dhe në paqe.

Në fjalën e tij, Ambasadori Akan Ismaili përcolli përshëndetjet e Presidentes Jahjaga dhe urimet e sinqerta të popullit dhe të Qeverisë së Kosovës. Ai ritheksoi orientimin e përhershëm të Kosovës, që si shtet i pavarur dhe demokratik të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie sa më të afërta me SHBA-të, bazuar në miqësinë dhe respektin e përhershëm për popullin amerikan dhe SHBA-të.

Në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë, Ismaili u shoqërua nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij. Që nga arritja e tij në kryeqytetin e SHBA-ve, Akan Ismaili tashmë i ka dorëzuar kredencialet tek Zëvendëssekretarja e Departamenti të Shtetit, Wendy Sherman.

Ambasadori Ismaili është Ambasadori i dytë i Kosovës në SHBA, pas Avni Spahiut, i cili sapo ka përfunduar mandatin e tij në këtë shtet.