Lajme Shqip Saturday, 19 September 2015 10:08

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, duke u akredituar si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplote e Republikës së Kosovës në SHBA.

Jahjaga, i ka përcjellë urimet më të sinqerta për presidentin Obama dhe popullin amerikan dhe njëkohësisht shprehu përkushtimin dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe në mes dy vendeve dhe dy popujve.

Ceremonia zyrtare e dorëzimit të letrave kredenciale u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërsa në letrën e presidentit Obama, dorëzuar ambasadores Çitaku me rastin e pranimit të letrave kredenciale, thuhet se Kosova dhe SHBA-ja ndajnë një partneritet të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. “Ne jemi të lumtur që kemi qenë ndër të parët që kemi njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, në vitin 2008, dhe mbesim të përkushtuar që të punojmë përkrah jush, përderisa ju vazhdoni të punoni në fuqizimin e institucioneve demokratike dhe multietnike”, thuhet mes tjerash në letrën e Obamës./zeri.info/