Lajme Shqip Saturday, 13 July 2013 14:40

New York – Gazeta e njohur amerikane, NY Times ka përgatitur një profil për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të titulluar “Thaçi aspiron të bëhet burrë shteti, por e përndjek e kaluara e tij si guerilas”.

Në shkrim thuhet se Thaçi ka nisur të vlerësohet në Bruksel dhe në Uashington si Gerry Adams i Ballkanit, madje emri i tij përflitet edhe për çmimin Nobel të Paqes. Gazeta megjithatë shton se një gjë e tillë është e pamundur.

Por në Serbi ai vazhdon të shihet si një figurë e urryer.

Gazeta shkruan se ish- drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe diplomatët perëndimore thonë se ai ka qenë një udhëheqës i pamëshirshëm i UÇK-së, që urdhëronte arrestime, vrasje dhe përndiqte rivalët e mundshëm të tij.

Vetë Thaçi thotë për NY Times se ai ka luftuar në krahun e duhur të historisë, kundër një tiranie të pamëshirshme.

Gazeta citon edhe rastin e raportit të Dick Marty, raportuesit të Këshillit të Europës, ku ai akuzohet për trafik organesh të pengjeve serbe.

Thaçi thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë.

“Sa më shpejt të qartësohet kjo çështje, aq më mirë për Kosovën. Është me të vërtetë një barrë për ne dhe ne besojmë tek e vërteta dhe drejtësia,” thotë Thaçi.

“Edhe pse gjerësisht ai vlerësohet si njeriu që drejtoi Kosovën për nga pavarësia- madje zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur ‘George Washington i Kosovës’, qeveria e tij është përballur me akuza të vazhdueshme për korrupsion të kudogjendur. Në maj, ai pësoi një tjetër goditje kur një gjykatë e Bashkimit Europian urdhëroi arrestimin e shtatë ish- komandantëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, mes tyre edhe ndihmës të afërm të Thaçit,” shkruan gazeta.