Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 10:16

Tiranë – Nxënësit e shkollave 9 vjeçare të Tiranës dhanë mesazhe sensibilizuese, por edhe demonstruan elementë të sigurisë rrugore.

Me rastin e “Ditës botërore të kujtesës së viktimave të trafikut rrugor”, në rrugën pedonale “Murat Toptani” u zhvillua aktiviteti sensibilizues për përcjelljen e mesazheve sensibiliziuese nga specialistë të Shërbimit të Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës. Ndërsa specialistë të Policisë Rrugore dhanë këshilla dhe demostruan bashkë me nxënësit këta elementë.

Drejtoresha e ASHR-Tiranë, Liljana Ramasaço, vuri theksin tek respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, për shmangien e aksidenteve, por edhe tek rëndësia e dhënies së ndihmës së parë në rast aksidentesh.

Qëllimi i këtij aktiviteti, sipas saj, ishte promovimi i lëvizjes së sigurt, duke përcjellë  mesazhe  për çdo element të trafikut rrugor nga nxënësit, për bashkëmoshatarët dhe komunitetin, si dhe demonstrimi  i dhënies së ndihmës së parë nga grupi i specializuar i Kryqit të Kuq (nxënës të shkollave të mesme).

Gjatë aktivitetit, nxënësit shpërndanë dhe fletëpalosje në rrugë për kalimtarët. Secila shkollë 9 vjeçare e pranishme (Vasil Shanto, Naim Frasheri, Osman Myderizi, 7 Marsi dhe Fan s Noli) trajtoi një nga  elementet e sigurisë në rrugë, duke përcjellë mesazhet për të.

Ndërsa grupi i vullnetarëve të Kryqit të Kuq dhe nxënës të shkollave të mesme demostruan mënyrën e dhënies së ndihmës së parë në rast aksidenti, si heqja e kaskës, mënyra e vendosjes së një të plagosuri deri në marrjen e ndihmes së specializuar, si dhe mënyrën e dhënies së frymëmarrjes artificiale.