Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 16:54

Tiranë – Takimi midis minatorëve të Bulqizës dhe përfaqësuesve të firmës ACR për të arritur një marrëveshje nuk është realizuar.

Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Roland Keta, gjatë një konference për shtyp, tha se “mbledhja e parashikuar për ditën e sotme, u shty për një moment tjetër”, ndërsa ka shtuar se bashkia do të vijojë sërish të jetë negociatorja e bisedimeve mes palëve.

Mësohet gjithashtu se shkak për mos zhvillimin e takimit ka qënë kërkesa e përfaqësuesve të firmës ACR që minatorët të mos përfaqësohen nga sindikatat.

Në një prononcim për mediat, Kolë Nikollaj, kryetar i Konfederatës së Sindikatave, theksoi se zgjidhja vjen duke u ulur në tryezë dhe se sindikata është një institucion dhe si i tillë duhet të respektohet edhe nga ACR.

Administratori i ACR, Giga Bedineishvili, ka deklaruar se Nikollaj vuri veton për të përfaqësuar minatorët. “Shkova në Bulqizë për t`u takuar me minatorët pa praninë e Kol Nikollajt dhe Taf Kolecit. U kërkova minatorëve të zgjedhin një përfaqësi tjetër për të diskutuar për problemet e tyre”, është shprehur administratori i ACR-së.

Ndërkohë gjendja e minatorëve grevistë gjatë ditës së sotme paraqitet shumë e rëndë, ndërsa përsëri gjatë ditës së sotme priten zhvillime të tjera për arritjen e një marrëveshje mes përfaqësuesve të firmës ACR dhe minatorëve në lidhje me kërkesat e këtyre të fundit.

Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.