Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 20:39

Prishtinë – Kërkimet në liqenin e Livoçit në afërsi të Gjilanit që kanë nisur të martën dhe të cilat kanë zgjatur për më shumë se tre orë, nuk kanë rezultuar me gjetjen e ndonjë mbetje mortore.

Dyshimet se në këtë liqen artificial mund të ketë mbetje mortore kanë ardhur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur të Serbisë, të cilët edhe kanë kërkuar që të bëhet një hulumtim në atë vend.

Këto aktivitete u realizuan nga ana e ekspertëve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me Njësitin për kërkim shpëtim apo zhytësit, pranë Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Me këtë rast, kapiteni i njësitit të FSK-së për kërkim shpëtim, Ejup Maqedonci është shprehur se të gjitha këto kërkime hulumtuese sipas tij rezultuan pa ndonjë rezultat.

Në këtë operacion sipas Maqedoncit ishin të përfshirë 10 pjesëtarë të FSK-së, kryesisht të specializuar në lëminë e zhytjes, të cilët kanë përdorë edhe kamerat nënujore.

Ndërsa, bashkëdrejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në EULEX, Alan Robinson ka bërë të ditur se në raportin vjetor të këtij Departamenti janë përmendur gjithsej 20  vendndodhje të mundshme, ku do të bëhen kërkime lidhur me mbetje mortore.

Sipas tij, që nga fillimi i vitit ata kanë bërë 30 operacione fushore, e që njëra nga këto është edhe lokacioni i liqenit të Livoçit.

“Ne nuk shkojmë në kërkimin e mbetjeve mortore në baza të sfondit etnik të cilit i takojnë, ne bëjmë kërkimin e personave të zhdukur. Ne nuk mund të bëjmë një konfirmim të tillë derisa nuk e gjejmë mbetjet mortore, t’i identifikojmë e pastaj mund të japim informacion”.

Bazuar në Planin e Veprimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, për vitin 2011, si dhe në Planin e Punës së Departamentit të Mjekësisë Ligjore, gjatë kësaj jave do të rifillojnë punimet në “rastin e Zhilivodës”, në një lokacion në fshatin Zhilivodë Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht gërmimi vlerësues në lokacionin e supozuar si varrezë masive.