Lajme Shqip Thursday, 30 January 2014 12:43

Shërbimi Informativ Shtetëror ka për detyrë të informojë lidhur me probleme që cenojnë sigurinë kombëtare. Dhe ngjarjet e ndodhura ditët e fundit janë ngjarje që cenojnë sigurinë kombëtare. Kështu deklaron në një intervistë për “Shekullin”, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. 

Duke i konsideruar ngjarjet e fundit si akte terroriste, Klosi pohon se detyra kryesore e SHISHit në këto momente duhet të jetë lufta ndaj këtyre fenomeneve. 

Ishkreu i SHISH-it shprehet se situata e rënduar e rendit shkon paralelisht me akuzat për dobësim të policisë për shkak të shkarkimeve apo emërimeve.

 “Shoh që këto ngjarje u përqendruan shumë në këtë periudhë, kur po diskutohet shumë se gjoja nga policia janë hequr shumë specialistë dhe janë vënë militantë, e diskutime si këto. Janë në unison këto dy skenarë. 

Dobësimi gjoja i policisë meqenëse qenkan hequr specialistët dhe shtimi i i këtyre lloj fenomeneve. Kjo duhet parë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror e ka këtë detyrë”, – pohon ai. 

Klosi nuk shprehet i habitur as nga ideja se kreu aktual i SHISH-it mund të vijojë të informojë ish-kryeministrin për ngjarje të caktuara, ndërsa thekson se Ajazi është i zgjedhur në atë detyrë nga Berisha. 

Klosi shton se në situatën aktuale është kryeministri ai i cili mund të kërkojë informacion të detajuar nga kreu i SHISHit sepse kjo strukturë është në varësi të ekzekutivit dhe e ka për detyrë të raportojë për fenomene të caktuara, madje brenda afateve që i vendosen.

 

Zoti Klosi a ka një procedurë ligjore mbi bazën e të cilës Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të japë informacion?

 

 Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të bëjë punën e vet që të ketë   informacion. Natyrisht jo për ngjarje të veçanta se kjo është absurde, por kur ngjarjet marrin pamjen që kanë marrë sot dhe praktikisht po bëhet si rregull vendosja e dinamitit, natyrisht duket që këtu ka një dukuri. Nuk është një ngjarje e thjeshtë që ndodhi njëherë, ja ndodhi dhe njëherë të dytë.

 Kjo mënyrë po bëhet praktikisht mënyrë e zakonshme. Për sa kohë që është kthyer në fenomen, është e qartë që Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të ketë informacion ose duhet të punojë të paktën për të pasur informacion dhe të informojë.

 Shërbimi Informativ Shtetëror është pjesë e ekzekutivit dhe si i tillë të gjitha detyrat i merr nga kryeministri. 

Natyrisht në sektorin e vet të punës, për informacionin lidhur me sigurinë  kombëtare, por prioritetet e punës sa herë që bëhet plani i punës, plani vjetor zakonisht se kështu funksionon administrata tek ne, merr prioritetet nga kryeministri dhe ai duhet të punojë dhe të japë llogari për ato detyra që ka marrë.

 Një nga detyrat kryesore në këtë periudhë është lufta ndaj këtyre fenomeneve që janë vërtet fenomene terroriste sepse të vësh bombë, nuk mund ta quash thjesht një ngjarje. Nuk është se po bëhet thjesht një vjedhje apo diçka e tillë. 

Njëherë vë një bombë nëpër shtyllat e tensionit të lartë, pastaj nëpër makinat, në dyert e shtëpive… Skandaloze ishte vendosja e bombës në furgonin e një banori të Lezhë, ajo nuk kishte asnjë lloj shpjegimi tjetër. 

Ai ishte njeri pa asnjë problem, një gjynahqar në punën e vet. Kështu që më duket se në këto ngjarje ka një orientim të përgjithshëm. Edhe nëse nuk ka një planifikimin, një orientim është. 

 

Si e konsideroni shqetësimin e ministrit Tahiri të shprehur në Komisionin e Sigurisë, sipas të cilit mungesa e informacionit nga SHISH-i po cenon sigurinë kombëtare? 

 

Mosdhënia e informacionit për këto gjëra që po ndodhin, cenon sigurinë kombëtare. Shërbim Informativ Shtetëror është ai institucion që furnizon ekzekutivin me informacion për të gjitha ngjarjet, më shumë për të gjitha dukuritë, fenomenet që cenojnë sigurinë kombëtare.

 Unë thashë që kjo u bë fenomen. Është bërë i shpeshtë dhe ata duhet ta vrasin mendjen qoftë dhe në aspekte teknike shumë të thjeshta, nga vjen ky dinamit, ku gjendet, kush janë linjat në të cilat zhvillohet kjo gjë?

 Sepse është një pajisje, dinamiti i bashkuar me një celular a me një radio krijon një pajisje, domethënë janë gjëra teknike që kanë kohë që diskutohen në Shqipëri. 

Kush janë linjat e furnizimit të atyre që i përdorin këto pajisje?  Pra në një mënyrë apo në një tjetër duhet t’u kishte rënë në mendje me kohë për këto fenomene që po ndodhin sot. Nuk është se bëhen brenda ditës. Jam i sigurt se nuk janë ngjarje të veçanta nga njëra-tjetra. 

Kanë një gjë të përbashkët, qoftë dhe furnizimit me pajisje. Unë kam përshtypjen se kanë dhe më shumë të përbashkëta. 

Unë po përdor fjalën orientim për të qenë brenda, sepse unë sot jam një qytetar i zakonshëm dhe nuk di asgjë konkrete, por e shoh që u përqendruan shumë në këtë periudhë, kur po diskutohet shumë se gjoja nga policia janë hequr shumë specialistë dhe janë vënë militantë, e diskutime si këto.

 Janë në unison këto dy skenarë. Dobësimi gjoja i policisë meqenëse qenkan hequr specialistët dhe shtimi i i këtyre lloj fenomeneve. Kjo duhet parë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror e ka këtë detyrë. 

 

Ish-presidenti Bamir Topi në një intervistë për “Shekulli” ka deklaruar se SHISH-i vijon të jetë në shërbim të Berishës duke përgjuar kundërshtarët e tij politikë…

 

 Nuk besoj se kjo bëhet e mundur zyrtarisht. Por mund të bëhet. Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror është një njeri që është vënë nga Berisha. Nuk do çuditesha fare që ai informon dhe Berishën për gjëra që i duhen. 

 

Në këto kushte ku jemi sot, kur SHISH akuzohet për mosdhënie informacioni cila është zgjidhja ligjore e kësaj situate? 

 

Në kushtet që jemi për mua, nuk është kaq e thjeshtë por kryeministri ka të gjitha të drejtat, si epror direkt i drejtorit të SHISH-it, që të japë orientimet lidhur me prioritetet e punës së shërbimit, qoftë për 3-4 muajt e ardhshëm dhe natyrisht prioriteti numër një është zbulimi i atyre që acarojnë situatën sot. Sepse për mua kjo që po ndodh është një politikë që acaron situatën.

 Unë nuk i quaj të shkëputura. Kryeministri ka të drejtën e plotë të kërkojë llogari duke vënë dhe afate të caktuara se kur kërkon informacion për këtë problem, kur për këtë tjetrin. Është shumë e kollajshme për kryeministrin, ai i jep detyrat Shërbimit dhe ka të drejtë të kërkojë llogari.

 Në ligjin për SHISHin thuhet: raporton për kryeministrin. Raportimi natyrisht është dhënie llogari për diçka që është kërkuar. Me këtë synim është vënë fjala raportim. 

 

 Braho: I zhgënjyer nga superlativat e Nishanit për SHISH-in 

 

 Kreu i Komisionit të Sigurisë flet për rolin e munguar të institucionit të drejtuar nga Visho Ajazi dhe pse është kundër presidentit 

 Burimi i parë i informacionit për luftën kundër krimit është Shërbimi Informativ Shtetëror. Nëse ai nuk kryen këtë detyrë atëherë është kthyer në një organizatë fronti si dikur. Kështu shprehet kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho lidhur me detyrat e SHISH në një kohë kur janë shtuar akuzat ndaj tij për mungesë bashkëpunimi.

 Spaho shprehet i zhgënjyer dhe për vlerësimet me superlativa të Presidentit ndaj SHISH-it ndërsa paralajmëron hetim për akuzat për punësime jashtë kritereve ligjore. 

 

Zot Braho, Presidenti Nishani ka deklaruar se SHISH-i ka bërë punë të mirë. Ministri i Brendshëm ka deklaruar se nuk bashkëpunon, po ashtu dhe partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të nuk janë të kënaqur me punën e SHISH-it. Ju çfarë mund të na thoni për punën e bërë nga zoti Ajazi? 

 

Ç’ka thënë presidenti e di, edhe pretendimin e djeshëm në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. Çfarë kanë thënë partnerët amerikano-anglez, për Visho Ajazin dhe strukturën e SHISH nuk e di.

 

 Gjatë dy ditëve të kaluara kanë bërë një inspektim dhe është një reagim i zyrtarëve të DASH…

 

 Nuk e besoj. Inspektimi ka qenë për të tjera gjëra në dijeninë time. Tv “Ora Neës” shfaqi inserte dhe pamje nga një dokumentacion, që bënte fjalë për emërtime të paligjshme në strukturën e SHISH-it. 

Duke veshur këtë edhe me opinionin tjetër, që pjesa dërrmuese e tyre janë shokë të Vishos gjatë periudhës që ka drejtuar SHISH-in Gazidede, gjatë periudhës ‘92-‘97. 

Nëse janë të sakta apo jo është proces tjetër. Ne i kemi kërkuar televizionit që materialet t’i verë në dispozicion të Komisionit të Sigurisë dhe ai i ka dorëzuar pranë kuvendit. Pasi ti shohim do të gjykohet si do të veprohet. 

Rrugët janë dy: verifikimin mund ta bëjë dhe qeveria, kryeministri nga varen detyrat që kryen SHISH-i, nëpërmjet inspektores së përgjithshme ose mund ta bëjë dhe një grup i ngarkuar nga Komisioni i Sigurisë pranë zyrave të SHISH-it për të ballafaquar këto materiale me situatën konkrete në këtë institucion.

 

  Ju si kryetar i Komisionit të Sigurisë keni kontakte me zotin Ajazi dhe a ju shqetësoi ajo çka deklaroi ministri Tahiri?

 

 Kontaktet e mia me zotin Ajazi janë normale. Kemi shkëmbyer mendime të ndryshme lidhur me funksionimet e SHISH-it. U përpoqëm ta ndihmonim financiarisht gjatë kohës së miratimit të buxhetit. Iu dhanë më shumë fonde se vitin e kaluar. 

U njoha me deklaratën e ministrit të Brendshëm. Tentova të lidhem me Vishën por është jashtë shtetit. Padyshim që do ta kontaktoj dhe për këtë çështje. 

 

Sa mund të ndihmojë SHISH në dhënien e informacioneve lidhur me çështje të rëndësishme që cenojnë sigurinë kombëtare? 

 

Atë ka detyrë kryesore.

 

 E ka bërë deri tani sipas jush?

 Nuk mund të shpreh ndonjë opinion. Unë mund të them që opinioni i shprehur nga Presidenti ishte me superlativa. 

Nga dozat e asaj kënaqësie, mbeta i zhgënjyer sa kohë që në Shqipëri shfaqet veprimtaria kriminale qoftë në formën e shfaqjes së terrorizimit, të elementëve të ndryshëm të tij apo të krimit të organizuar. Sa kohë që SHISH-i nuk është prezent nuk e di nëse ka apo jo informacione. 

Ministri i Brendshëm thotë që nuk kam informacione. Mundet që këto informacione ti marrë dhe presidenti por është e pamundur. 

Nëse presidenti i ka këto informacione duhet t’i konsumojë me qeverinë, me ministrin e Brendshëm, mos ti mbajë vetë, por nuk besoj të ndodhë kështu. Nuk dua të bëj asnjë aludim për presidentin. 

Por roli i SHISH-it në luftën kundër krimit është burim i parë i informacionit, element i parë i veprimtarisë së tij, i strukturave kudo ku është prezent. Nuk e di me çfarë mund të merret SHISH-i nëse nuk merret me këto informacione. 

Ose është kthyer në organizatë fronti si dukur që bën letra anonime, apo veprimtari të tjera që nuk i shërbejnë punës apo qëllimit për të cilin është ngritur dhe funksionon. 

Natyrisht Shërbimi ka dhe funksione të tjera që lidhen me bashkëpunimin me agjenci të tjerë të huaja. Nuk e di si i ka raportet me këto agjenci. Është një çështje që do të hetohet.