Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 10:24

NEW YORK- Tashmë pasaportat biometrike prodhohen edhe në New York. Të gjithë shqiptarët që jetojnë atje kanë mundësi të aplikojnë. 

Hapja e kësaj zyre u përurua edhe nga Presidenti i Republikës, Bujari Nishani, i shoqëruar nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, zoti Dritan Mishto, Zëvendësministri i Brendshëm, zoti Ferdinand Poni, Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve, zoti Michael Granoff dhe Drejtori i Kompanisë “Aleat”. 

Presidenti Nishani e vlerësoi këtë projekt si arritje të institucioneve të shtetit shqiptar dhe shprehje e kujdesit të vazhdueshëm ndaj emigrantëve tanë kudo ata jetojnë. 

Më pas Konsulli i Përgjithshëm, Dritan Mishto e njohu Presidentin Nishani dhe të ftuarit me procedurën dhe sistemin e aplikimit, interesimin e emigrantëve për të aplikuar duke shprehur bindjen se me këtë shërbim qeveria shqiptare përmbush një nga detyrimet themelore në ndihmë të bashkësisë shqiptare.

Zyra e aplikimit për pasaportat biometrike në New York u përurua dhe është në vazhdën e ofrimit të këtij shërbimi edhe për emigrantët shqiptarë në Itali dhe në Greqi.(LajmeShqip.com)