Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 14:00

Kur kompania amerikane “Patton Boggs LLP” kishte bërë kontratë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës për të lobuar për Kosovën në Washington D.C., njerëzit e saj kishin thënë se do të angazhohen për t’ia rritur shtetit të ri numrin e njohjeve nga shtetet e tjera.

Por në të njëjtën kohë nuk e kishin zënë në gojë ndonjë numër të njohjeve që do t’i nxirrnin për Kosovën për një kohë të caktuar.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë thënë të dielën se kompania, pjesë e së cilës është edhe diplomati i njohur amerikan Frank Wsner, i cili ka qenë i përfshirë në bisedimet për statusin e Kosovës, është duke punuar, dhe se nga marrëveshja me të Kosova do të dalë fituese.

“Nuk ka një numër ekzakt të njohjeve që ata kanë premtuar se do t’i bien, por ‘Patton Boggs LLP’ është duke punuar dhe ne jemi të bindur se njohjet e Kosovës, vendi i Kosovës dhe imazhi i saj në botë do të përforcohet”, ka qenë i bindur zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, raporton Koha.

“Por kontrata me ‘Patton Boggs LLP’ pos ndihmës gjithëpërfshirëse për rritjen e numrit të njohjeve, është edhe për forcimin e prezencës kosovare në të gjitha strukturat vendimmarrëse në Uashington D.C., si dhe për përmirësimin e imazhit në qarqet e identifikuara”.

Në gusht të këtij viti, për asistencë Kosovës në disa fusha në Washington D.C., MPJ-ja pati arritur marrëveshje me kompaninë amerikane “Patton Boggs LLP”. Kostoja e saj kap një shumë prej 50 mijë dollarësh në muaj, ndërkaq bëhet fjalë për një periudhë njëvjeçare.