Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 08:48

Shkup – Njësia zgjedhore numër gjashtë do të jetë mejdani ku partitë politike shqiptare do t’i matin forcat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që sipas gjitha gjasave do të mbahen në qershor të këtij viti.

Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani mësohet se do të jenë “lokomotivat” e listave zgjedhore të kësaj njësie e cila tradicionalisht nxjerr mbi 16 deputetë shqiptarë, kurse Imer Selmani i Demokracisë së Re, do të kryesojë listën e kandidatëve në zonën 1, që përfshinë rajonin e Shkupit. Burime partiake thonë se liderët do të jenë bartës liste në njësinë e 6-të për shkak të numrit të madh të deputetëve që mund të fitohen si dhe ngushtimit të hapësirës për eksperimentime për shkak të rritjes së konkurrencës së ofertave politike në kampin shqiptar.

Edhe pse personat zyrtarë të këtyre partive nuk dëshirojnë t’i publikojnë emrat se kush ku do të garojë, nga burime jo zyrtare nga po ato parti bëhet e ditur se “figurat kryesore” do të konkurrojnë në 6-tën.  Në BDI akoma nuk dëshirojnë të bëjnë me dije emrat e mundshme të cilat do të jenë bartës të listave, por jo zyrtarisht theksojnë se në gjashtën tanimë është shumë e sigurt se do të prinë lideri i kësaj partie Ali Ahmeti. “Disa nga emrat të cilët do të jenë bartës së listave dihen, por ato është herët për t’u publikuar.

Por një gjë është shumë e sigurt se lideri i kësaj partie Ali Ahmeti do të jetë bartës i listës zgjedhore numër 6, ashtu siç ka qenë në zgjedhjet e kaluara”, thuhet nga burime anonime nga BDI. Nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) nuk dëshirojnë të spekulojnë se ku do të garon lideri i tyre, por informacionet jozyrtare thonë se lideri i sapo zgjedhur i PDSH-së, Menduh Thaçi do të jetë në mes njësive zgjedhore numër 1 dhe 6.

“Në zgjedhjet e kaluara lideri i partisë ka qenë bartës i listës zgjedhore numër 6. Por, se ku do të jetë në zgjedhjet e ardhshme akoma nuk dihet për shkak se për këto matematika akoma është herët të bisedohet”, tha Luan Tresi, zëdhënës i PDSH-së. Ndërkaq, zërat brenda PDSH-së thonë se lideri i kësaj partie gëzon një mbështetje të madhe pikërisht në njësinë zgjedhore numër 6, që kap rajonin e Tetovës, ku shqiptarët nxjerrin shumicën e deputetëve. Në Demokracinë e Re (DR) të Imer Selmanit akoma nuk pohojnë asgjë. Supozohet se lideri i kësaj partie do të jetë bartës i listës zgjedhore numër 1, që përfshinë rajonin e Shkupit.

Te njësia zgjedhore numër 6 supozohet se do të garojë edhe Rufi Osmani, i cili për të dielën ka paralajmëruar konventën promovuese të partisë së tij – Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK). Jeton Aliji, nga kabineti i Osmanit, thotë se renditja e kandidatëve dhe emrat e tyre do të bëhen të ditur pasi të promovohet partia apo kah fundi i muajit. Për dallim prej partive shqiptare në bllokun maqedonas më tërheqëse do të jetë njësia zgjedhore numër 1, ku pritet të garojnë lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski, ai i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, dhe ish kryeministri i vendit Lubço Georgievski nga VMRO-Popullore.

Por nuk përjashtohet mundësia që aty të garojë edhe lideri i të bashkuarve për Maqedoninë, Lube Boshkovski.