Lajme Shqip Sunday, 06 October 2013 11:57

Prishtinë- Disa nga ndërtesat e reja shumëkatëshe në Prishtinë janë të konstruktuara dhe ndërtuara nga persona që nuk kanë përgatitjen e duhur profesionale dhe kjo rrit dyshimet në cilësinë e objekteve të banimit, ka thënë inxhinieri i ndërtimtarisë i specializuar në studimet gjeomekanike, Qani Kadiri.

Duke marrë shembullin e lagjes “Arbëria” (ish Dragodanit) në Prishtinë, ku së fundi janë regjistruar shembjet e dheut, ai thotë se përgjegjësit komunalë duhet të reagojnë.

Ndërtimet e larta në Arbëri, sipas Kadirit kanë nisur mbrapshtë. Ai insiston që të respektohen të gjitha kriteret profesionale para se të nisë një objekt dhe që analizat të kalojnë nëpër të gjitha filtrat institucionalë.

“Kemi raste kur elaboratet gjeometrike i bëjnë njerëz që e kanë të përfunduar shkollën e mesme. Nuk mundet një person me shkollë të mesme, apo nivel bachelor të konstruktojë një ndërtesë me 10 kate. Nuk mundet të konstruktohet e t’i bëhet arkitektura vetëm pse dikush ka kompjuter, sepse nevojitet të ketë studime master, por edhe të ketë provojë që të merret kompetenca për ndërtime të larta”, ka vlerësuar ai në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Kadiri vlerëson se, përveç cilësisë së ndërtimit, problematike mbeten edhe zonat specifike ku ndërtohen objektet kolektive të banimit.