Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 13:58

Prishtinë – 15 policë dhe 6 protestues janë lënduar gjatë protestës së Vetëvendosjes kundër vizitës së negociatorit të Serbisë, Borko Stefanoviq në Prishtinë. Në mesin e të lënduarve janë policë, protestues dhe deputetët e Vetëvendosjes Albin Kurti e Glauk Konjufca.

Gjendja ka eskaluar gjatë kohës kur Stefanoviq po takohej me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, në objektin qeveritar të ish Rilindjes. Qeveria e Kosovës e ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj institucioneve të shtetit.

Vizita e shefit të  delegacionit të Serbisë Borko Stefanoviq në Prishtinë është  pritur me protesta të ashpra nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur takimi me zëvendëskryeministrin, Hajredin Kuçi dhe ai me kryenegociatoren  e Kosovës Edita Tahiri,  aktivistë të Vetëvendosjes  kanë gjuajtur me gurë dhe shishe me ngjyre të kuqe. Për pasojë  janë  lënduar policë dhe protestues ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, tha  se rreth 400 persona kanë protestuar para objekteve qeveritare.

Qeveria e Kosovës e ka dënuar fuqishëm  manifestimin e dhunës ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa  shprehjen paqësore të pakënaqësisë dhe protestës e ka quajtur e drejtë demokratike dhe kushtetuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Në një komunikatë për media, Qeveria fton të gjithë qytetarët e Kosovës për maturi dhe i siguron ata, se procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dyja shteteve dhe integrimin e tyre në BE dhe NATO.

Ndërkohë,  Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur vizitën e Stefanoviqit ofendim dhe provokim për qytetarët e Kosovës ndërsa dëmin  material të  shkaktuar nga protestuesit, minimal krahasuar me siç thuhet  dëmin politik që po i shkaktohet Kosovës nga bisedimet me Serbinë.