Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 18:45

Prishtinë-Autoritetet vendore e ndërkombëtare e quajnë “të suksesshme” ecurinë e deritashme të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Prishtinës e Beogradit, ndërsa këmbëngulin në natyrën teknike të procesit në fjalë.

Më tetë mars të vitit të kaluar, delegacionet e të dyja palëve u ulën, për herë të parë, në tryezën e ndërmjetësuesit evropian, Robert Kuper, për të biseduar për çështjet e pazgjidhura teknike ndërmjet tyre.

Pas nëntë raundeve të takimeve dhe gjithsejtë shtatë marrëveshjeve të arritura, theksohet rëndësia për zbatimin e tërësishëm të tyre, ndërsa hedhet poshtë mundësia që problemi i veriut të futet si temë diskutimi në raundet e ardhshme të dialogut.

Përgjatë një viti, pala kosovare dhe ajo serbe janë pajtuar mbi bashkëpunimin rajonal, menaxhimin e integruar të kufirit, lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave universitare, auto-targat, kadastrën, vulat doganore, ndërsa kanë mbetur për t’u zgjidhur çështja e energjisë dhe telekomunikacionit.

Situata në veri të Kosovës kishte çuar në ndërprerjen e përkohshme të dialogut për shkak të insistimit të Serbisë që të shtrohet për diskutim çështja e veriut të vendit.

Rezultati i raundit të fundit, ndërkaq, ia hapi rrugën Beogradit që të fitojë statusin e vendit kandidat, ndërsa Prishtina pret hartimin e një studimi të fizibilitetit për të nënshkruar më pas marrëveshjen për stabilizim-asociim me BE-në. (REL)