Lajme Shqip Monday, 05 November 2012 16:01

Prishtinë – Një gjyqtar i EULEX-it i caktoi masën prej një muaji paraburgim katër personave të cilët u arrestuan ditën e premte gjatë një operacioni të përbashkët të udhëhequr nga Drejtoria e Policisë së Kosovës kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, prokurorët e EULEX-it dhe Inspektorati Policor i Kosovës.Katër të dyshuarit akuzohen për veprat penale të pranimit të mallrave të vjedhura dhe të mashtrimit. Ata u arrestuan gjatë përpjekjeve për ta kryer një shitblerje të paligjshme të arit. Gjatë operacionit është sekuestruar një sasi e madhe e arit.
Rasti është duke u hetuar nga një prokuror i qarkut nga EULEX-i.

Pejë, 5 nëntor – Ragip Bytyçi, Kushtrim Kastrati, Ragip Hajdini dhe Xhemë Gashi janë personat e arrestuar që dyshohet se janë përgjegjës për vjedhjen e arit në dhomën e dëshmive në Pejë, kështu ka bërë të ditur sot, kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani.

Nga ana tjetër, Dukagjini citon ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, të ketë thënë se nuk është optimist që një ditë do të kapen edhe ata persona që e vodhën drogën në dhomën e dëshmive në Prishtinë.(LajmeShqip.com)