Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 10:34

Mitrovicë – (PLOTËSUAR 12:35) – Burimet e portalit bëjnë të ditur se KFOR-i është në përkrahje direkte të aksionit të policisë së Kosovës, në veri, për arrestimin e zjarrvënësve të Pikës Kufitare në Jarinje, ndërkohë që EULEX-i vetëm është duke e monitoruar sitatën.

Ndërsa, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në të ashtuquajturën Ministri Serbe për Kosovën, ka theksuar se njësitë ROSU tani janë në Leposaviq dhe se banorët serbë janë në dijeni dhe po e monitorojnë lëvizjen e tyre në çdo pikë ku ata janë.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë nuk është në dijeni për një aksion të tillë. (LajmeShqip.com)

*********************************

Mitrovicë (PLOTËSUAR 12:01) – Burimet e portalit LajmeShqip.com konfirmojnë se konvoji i përbërë nga rreth 30 automjete të Policisë së Kosovës, i nisur drejt veriut të Kosovës, ka të bëjë me një operacion të pritshëm për arrestimin e të përfshirëve në djegien e Pikës Kufitare G1 të Jarinjes.

Bëhet e ditur se pas vëzhgimit të vazhdueshëm të situatës, Ekipi Vëzhgues i Policisë së Kosovës ka urdhëruar policinë që të mos e nis tani operacionin, për shkak të shkallës së lartë të rrezikshëmrisë që situata të dalë nga kontrolli.

Burimet e portalit konfirmojnë se konvoji i Policisë së Kosovës është kthyer tani në qendrën e tij, në pritje të konfirmimeve të tjera. (LajmeShqip.com)

************************************

Mitrovicë – Burime të Portalit LajmeShqip.com kanë bërë të ditur se sot në orët e hershme të mëngjesit, një konvoj me mbi 20 automjete të Policisë së Kosovës, ka hyrë në veri të Kosovës.

Konvoji i automjeteve të policisë, ka hyrë në veri të vendit në shoqëri të forcave të shumta të KFOR-it.

Ende nuk dihet nëse kjo ka të bëjë me ndonjë aksion tjetër të policisë në veri, apo për veprime të tjera ne vendosjen e rendit ose arrestime të mundshme lidhur me ngjarjet e 25 dhe 26 korrikut, kur kriminelë serbë dogjën pikën kufitare dhe vranë pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Heroin Enver Zymberi. (LajmeShqip.com)