Lajme Shqip Friday, 04 September 2015 12:44

Një qytetar nga Durrësi bën përgjegjës kryeministrat e deritanishëm për gjithë çfarë ka kaluar Shqipëria pas vitit 1990. Dhe jo vetëm kaq. Nikolin Prenga ka vendosur t’i hedhë ata në gjyq

Një vit më parë, ai ka depozituar në Prokurorinë e Durrësit një padi ndaj ish-kryeministrave të 25 viteve të fundit, përfshirë edhe kryeministrin aktual, Edi Rama. Prenga akuzon ish-kryeministrat Sali Berisha, Fatos Nano, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta, Ylli Bufi dhe kryeministrin Rama si përgjegjës për çfarë ka ndodhur në vend në 25 vite, transmeton Shekulli.

Padia e tij nuk është marrë parasysh nga prokuroria, por Gjykata e Apelit në Durrës e ka dërguar kallëzimin në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit ia ka kaluar padinë për hetim Prokurorisë së Përgjithshme.

“Kërkuesi Nikollë Prenga ka bërë kallëzim kundër shumicës së kryeministrave të shtetit shqiptar që kanë drejtuar vendin pas ’90-s, duke i konsideruar si përgjegjësit kryesorë për gjithçka ka ndodhur në vendin tonë gjatë periudhës postkomuniste”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme.