Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 15:59

Prishtinë-Në vizitën zyrtare në Republikën e Kosovës, Guvernatori i shtetit Imo të Republikës Federale të Nigerisë, Oëelle Anayo Rochas Okorocha është pritur në qeverinë kosovare, nga zv/kryeministri i parë, Behgjet Pacolli, ku ka shprehur interesimin e shtetit të tij dhe Republikës Federale të Nigerisë, për fillimin sa më të shpejtë të bashkëpunimeve të ndryshme politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.

“Nigeria është shteti më i fuqishëm në Afrikë dhe Kosova nuk mund të ketë miq më të mirë se sa Nigeria në këtë kontinent. Fakti që unë jam këtu, nënkupton interesimin e shtetit tim për të zhvilluar miqësinë ndërmjet dy shteteve tona”, ka thënë Okorocha, sipas zyrs së zv/kryeministrit Pacolli.

Ai ka shtuar se vendi i tij ofron mundësi të jashtëzakonshme ndërsa në këtë drejtim, edhe profesionalizmi i kosovarëve është i nevojshëm atje. Ekonomikisht ka folur edhe zv/kryeministri Pacolli duke lansuar idenë e mbajtjes sa më të shpejtë të një samiti në Nigeri që ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.

Sa i përket interesimit të medieve në lidhje me njohjen nga Nigeria zëvendëskryeministri Pacolli ka thënë se “njohjet nga një shtet siç ne normalisht i kuptojmë, i kuptojmë me një notë verbale që vjen, por nuk është nota verbale i vetmi instrument i njohjeve. Kur një shtet të njeh, ta hap rrugën që ta hapësh shtëpinë tënde diplomatike dhe ekonomike në atë shtet”.

Delegacioni nga Nigeria, i shoqëruar nga Pacolli, dje ka vizituar kompleksin e Jasharajve në Prekaz. Delegacioni është pritur nga Murat Jashari, i cili i ka njoftuar nga afër me historinë më të re të Kosovës, me luftën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me këtë rast, musafirëve nga Nigeria, Murat Jashari u dhuroi edhe historinë luftës heroike të Jasharajve në gjuhën angleze. Murat Jashari shprehu falenderimet e tij edhe për kontributin e zëvendëskryeministrit Pacolli në afirmimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Delegacioni nigerian ka zhvilluar takime me komunitetin e biznesit, Odën Ekonomike të Kosovës dhe Aleancën Kosovare të Biznesit. (LajmeShqip.com)