Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 16:45

Tiranë – Punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe kanë nisur me një intensitet të lartë. Pranë Kopshtit Botanik, aty ku është vija e verdhë, që ndan Komunën Farkë me qytetin e Tiranës, po bëhen punimet për ngritjen e një mbikalimi. Sipas Drejtorit të Kantierit të Punimeve, Naim Hoxha, punimet në anën tjetër të vijës së verdhë do të bëhen me fonde të bashkisë, pasi është territori i qytetit.

Në këtë segment rrugor, nga Kopshti Botanik deri në Sauk-Fshat, do të vazhdojnë punimet për dy vite rresht.

Stina e thatë e verës po favorizon punimet, duke ecur me ritme të shpejta. Kopshti Botanik në atë anë nga kalon rruga do të jetë i rrethuar me mur betoni. Nga teritori i tij janë marrë vetëm 10 metra në vijë lineare. Administratës së Kopshtit Botanik i janë dhënë 200 mijë lekë, për të mbuluar shpenzimet për zhvendosjen e florës dhe faunës.

Segmenti i këtij projekti fillon nga Komuna e Parisit deri në rrugën e re Tiranë-Elbasan, kurse sipërfaqja që kalon në favor të këtij projekti është 9 mijë e 263 metra katrorë. Me vendim të Këshillit të Ministrave sapo janë çelur fondet për një tjetër segment dhe nënkalim në Komunën e Paskuqanit. (LajmeShqip.com)