Lajme Shqip Saturday, 06 July 2013 17:00

Tiranë – “Task forca” e Prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimet ndaj tre zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të drejtuar nga Spiro Ksera. Ky hetim ka nisur pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka konstatuar abuzim me fondet publike. Sipas prokurorisë, në hetim është Klevis Bitro me detyrë drejtor i Kabinetit pranë kësaj ministrie, drejtorja e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse, Flora Batusha dhe këshilltari grek i ministrit, Theofanis Kaliviotis. Tre zyrtarët, sipas akuzës, kanë përvetësuar shuma të mëdha parash nga 6 aktivitete të ndryshme të organizuara nga ky institucion, por vetëm në letër.

Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi sot se ka depozituar katër kallëzime penale në Prokurori ndaj zyrtarëve të ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Nga auditi i ushtruar janë konstatuar shumë parregullsi, shkelje ligjore dhe procedurale në menaxhimin e aseteve të ministrisë dhe në drejtim të menaxhimit të fondeve buxhetore. Auditi është realizuar për periudhën 01/04/2011 deri më 30/09/2012. Sipas KLSH-së, vlera e shkeljeve të ligjshmërisë ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 23 728 976 lekë.

Lidhur me këtë, KLSH-ja tha se të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve”, “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Shkeljes së Barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” janë drejtori i Kabinetit të ministrit K.B.; këshilltari i Kabinetit të Ministrit Th. K. dhe drejtorja e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse F.B.

Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka propozuar 2 rekomandime për ndryshim në legjislacionin në fuqi; 40 masa organizative; 25 masa për shpërblim dëmi në vlerën 23,728,976 lekë dhe 10,613 Euro; 4 masa administrative, 3 masa “Zgjidhje e kontratës së punësimit” për Drejtorin e Kabinetit, Këshilltarin e Ministrit dhe Përgjegjësin e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse; 3 masa “Largim nga shërbimi civil” për Drejtoren e Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse, Drejtorin e Përgjithshëm të Politikave, 1 masë “Kalim në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët për një periudhë deri në një vit” për Drejtorin e Politikave të Inspektimit në Punë dhe Drejtorin e Shërbimeve të Brendshme;; 4 masa “Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë për një periudhë deri në 2 vjet” për ish Sekretarin e Përgjithshëm, Përgjegjësin e Sektorit të Shërbimeve të Financës dhe Përgjegjësen e Sektorit të Drejtorisë së Integrimit.