Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 10:59

Tiranë – Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, u prit sot në një ceremoni solemne në Pallatin e Brigadave nga Presidenti Bamir Topi, në kuadër të vizitës së parë shtetërore të tij në Shqipëri.
Pas ekzekutimit të himnive kombëtare të të dy vendeve dhe përshëndetjeve të rastit, Presidenti Pacolli dhe homologu i tij shqiptar po zhvillojnë një takim kokë më kokë dhe më pas, pritet të kryesojnë bisedimet dypalëshe mes delegacioneve zyrtare. 
Më tej, dy Presidentët do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp për përfaqësuesit e mediave. 
Gjatë vizitës së tij Presidenti i Republikës së Kosovës, Pacolli do të zhvillojë takime të veçanta me personalitete të larta të shtetit dhe të politikës shqiptare. 
Gjithashtu në kuadër të kësaj vizite, nesër, Presidentit Pacolli do t’i jepet titulli “Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Ai do të zhvillojë një takim në Forumin e Biznesit Shqipëri-Kosovë, ndërsa do ta përmbyllë vizitën e tij të parë si Kryetar Shteti në Shqipëri me një vizitë në qytetet e Krujës dhe Lezhës.