Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 14:29

Tiranë – Ministria e Brendshme dhe Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, prezantoi të premten në Tiranë, Planin Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore 2011-2013, si dhe politikat që do të ndërmerren në kuadër të luftës kundër trafikimit.

I pranishëm në takimin e Komitetit Shtetëror të Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani vlerësoi se, trafikimi i personave, si një krim mjaft kompleks, përbën një kërcënim për demokracinë, liritë dhe të drejtat njerëzore.

Në cilësinë e ministrit të Brendshëm dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror të Luftës Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Nishani siguroi se institucioni që ai drejton, përmes mekanizmave të posaçme, në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces, disponojnë një kuadër të përmirësuar ligjor që adreson këtë krim dhe ka vendosur standarde dhe praktika të mira në luftën kundër trafikut njerëzor.

Ndërsa foli për hartimin e ligjeve që penalizojnë trafikantët, ai tha se, “kriminalizimi i trafikimit të qenieve njërëzore nuk mjafton. Legjislacioni ynë i njeh viktimat e trafikimit si persona që u janë shkelur të drejtat njerëzore dhe u ofron një zinxhir shërbimesh për rehabilitimin e tyre”.

Nishani foli edhe për rishikimin e ligjeve ekzistuese si dhe miratimin e ligjeve të reja për krijimin e një hapësire gjithëpërfshirëse për të luftuar fenomenin e trafikimit, ndërkohë që Policia e Shtetit, tha ai, vazhdon të ketë prioritet luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht atë të trafikimit  të personave.