Lajme Shqip Monday, 15 July 2013 12:15

Tiranë – Presidenti i Republikës në prag të tranzicionit politik në vend thirri në një takim pune, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Nënkryetarin e KLD-së, Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e KLSH-së dhe Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së. 
Kreu i shtetit bëri thirrje që krerët e këtyre institucioneve të mos përfshihen nga inercia e tranzicionit politik në vend dhe të ushtrojnë detyrën në përputhje me ligjin pa u ndikuar dhe kërcënuar politikisht. 
“Jemi në procesin e kalimit të tranzicionit politik nga një mazhorance në tjetrën. Ky është qëllimi i mesazhit tim politik. Zgjedhjet prodhuan një mazhorance të re politike që i uroj suksese në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj. Prioritet e kësaj qeverie mund të jenë të ndryshme nga mazhoranca e mëparshme dhe kështu që dhe funksionet qeverisë duhet të jenë të matura në zbatim të ligjit dhe moralit publik dhe institucional. Ushtrimi i funksioneve, si Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, KLSH, BSH dhe institucionet e tjera si institucione të pavarura, duhen të mospërfshihen nga perceptimin i inercisë së tranzicionit politik”, u shpreh Nishani. 
Presidenti nënvizoi se prioritetet e mazhoranca që vinë dhe ikin mund të jenë të ndryshme por institucionet duhet ti përgjigjen funksionit të tyre në bazë të ligjit. 
“Asnjë nuk duhet të ndihet i brishtë apo i kërcënuar. Do donim që askush të mos e shkelte ligjin dhe gjithkush të deklaronte të ardhurat të kishim para pa fund, por kjo nuk është realiste. Të jemi realist le të punojmë me devocion për një shtet real të bazuar tek ligji. Në këtë dinamikë askush nuk është në rrezik por të gabuar, por parimi i parimeve është liria. Nëse institucionet dështojnë në shtimin e lirisë së shtetasve kjo është fatkeqësia më e madhe që duhet ndrequr. Funksionim të pa ndikuar dhe të lirë, në të mirë funksionim e lirë nuk ka krah politik dhe familjarë”, apeloi Nishani.