Lajme Shqip Monday, 16 June 2014 14:00

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, nëpërmjet faqes së tij zyrtare në facebook, vlerësoi shumë ardhjen e Papa Françeskut në Shqipëri dhe i uroi atij mirëseardhjen.

“Mirë ardhshi Papa Françesku! Do të presim si e meriton një mysafir i lartë si Ju, me dashuri dhe respekt, përulësi dhe nderim. Ne shqiptarët jemi mikpritës të mëdhenj. Për ne Mikpritja ka qenë historikisht dhe është ende sot, jo thjesht rutinë, mënyrë jetese, zakon, por edhe shumë më tepër, zakon i kodifikuar, sjellje e kanonizuar”, tha ai.

Presidenti i Shqipërisë, deklaroi se Shqipëria është një nga të paktat vende që e kanë këtë privilegj:

“Hera e dytë që një Papë do prekë truallin tonë, është një fat dhe një privilegj i madh për ne shqiptarët. Shqipëria jonë është nga të paktat vende që e ka këtë fat, këtë privilegj që e meriton. Vizitën tuaj do ta çmojmë shumë”.

“Pas vizitës tuaj, do jemi pak më të mirë, më të qetë, më të butë, më të arsyeshëm. Mirë se të vini!”, deklaroi Nishani.