Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 18:37

Tiranë – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani vlerësoi sot ndihmën dhe kontributin që zyra e OSBE-së në Tiranë ka dhënë, veç tjerash edhe në konsolidimin dhe rritjen e performancës së Policisë së Shtetit, ristrukturimin e saj, trajnimin e personelit, ngritjen e infrastrukturës si dhe trajnimet e punonjesve të Policisë për përballimin e procesit zgjedhor të 8 Majit.

I pranishëm në ceremoninë e dekorimit të një prej këshilltarëve të lartë për çështjet Policore në përfaqësinë e OSBE-së në Tiranë, Klaas Los, ministri Nishani vlerësoi se kontributi personal i Los si dhe zyrës së OSBE-së në Shqipëri në shërbim të një çështjeje thelbësore sikurse është siguria, është kontribut përtej atij të thjesht një organizate, një kontribut për shoqërinë dhe institucionet kushtetuese të një vendi demokratik.

“Sot qytetarët shqiptarë ndjehen më të sigurtë se më parë. Liria e çdo qytetari, në radhë të parë, duhet të nisë te qenia e tij e të ndjerit i sigurtë”, tha Nishani, duke vlerësuar se rol të rëndësishëm përbën konsolidimi i organizatës Policore dhe profesionalizmi i strukturave që shërbejnë në të.

Është e qartë për të gjithë se ndërsa përfaqësuesit e politikës shkojnë e vijnë, ndryshe ndodh me përfaqësuesit e Policisë, të cilët pavarësisht ndryshimeve, vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre, tha ai.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj vlerësoi kontributin që këshilltari i lartë i OSBE, Los ka dhënë në mbështetje të Policisë së Shtetit në përgatitjen dhe miratimin e Ligjit të Ri për Policinë, ristrukturimin e saj, trajnimin e personelit, ngritjen e infrastrukturës dhe trajnimet e punonjësve të Policisë për përballimin e fushatës zgjedhore të 8 Majit, zbatimin e metodave të reja të funksionimit të Policisë, në mënyrë të vecantë Policimin në Komunitet, etj.