Lajme Shqip Sunday, 23 September 2012 17:39

TIRANË – “Nënë Tereza ka zhdukur kufijtë duke i afruar njerëzit me njëri-tjetrin”, tha Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë përurimit të Kopshtit Kulturor Shqiptar “Nënë Tereza” në Cleveland, SHBA.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, ceremonia u zhvillua në Kopshtin multikulturor “Rockefeller”, pjesë e të cilit është edhe Kopshti Kulturor Shqiptar “Nënë Tereza”.

Presidenti Nishani, gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast vlerësoi shenjtoren si dritën e shpresës dhe respektit. Kreu i Shtetit theksoi se me përmendoren e Nënë Terezës, Kopshti Kulturor Shqiptar e nderon humanisten e shquar shqiptare, e cila mbetet frymëzim për vlerat më të larta njerëzore dhe krenaria e të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Cleveland.

Presidenti Nishani uroi gjithashtu që Kopshti Kulturor “Nënë Tereza” të shndërrohet në një vend pelegrinazhi i Clevelandit, dhe shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij dhe të popullit shqiptar për popullin mik amerikan dhe kontributin e tij të rëndësishëm për Shqipërinë.

Në këtë veprimtari të organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Clevelandit merrnin pjesë ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gilbert Galanxhi, Kryetari i Bashkisë së Clevelandit, Frank Jackson, kreu i Shoqatës Adem Meta, këshilltarja bashkiake dhe presidentja e shoqatës Dona Brady, kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, përfaqësues të diasporës shqiptare dhe qindra qytëtarë të Clevelandit dhe rrethinave.

Në fund të ceremonisë, Presidenti Nishani zbuloi shtatoren kushtuar “Nënë Terezës”, akt ky që shënoi çeljen e Kopshtit Kulturor Shqiptar, i cili do të pasurohet më tej me shtatore të personaliteteve të tjerë të kulturës shqiptare.

Gjatë qëndrimit në Cleveland, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të Clevelandit me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, për punën e palodhur në promovimin e kulturës dhe imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Cleveland. (LajmeShqip.com)