Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 15:06

TIRANË- “Dikur, një vend tërësisht i izoluar, tashmë pret me besim marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, bazuar në meritë”. Kështu u shpreh sot në një fjalim Presidenti Bujar Nishani në Asamblenë Parlamentare para Këshillit të Evropës në Strasburg.

Kreu i shtetit shqiptar theksoi se Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me shtetin e prapambetur 22 vjet më parë.  “Shqipëria, e njohur për armiqësinë e saj fanatike ndaj Perëndimit, është sot anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe, aktualisht, ndihmon me trupa për paqen në Afganistan e gjetkë. Ajo, nga konsumatore e dikurshme është shndërruar kështu në kontributore për sigurinë e këtyre vendeve, të rajonit e vendeve demokratike. Dikur, nga një vend me një ekonomi thellësisht autokratike është shndërruar sot në një ekonomi tërësisht dinamike të tregut të lirë. Sot, vendi im përballon suksesshëm ndikimin e krizës globale ekonomike dhe financiare, duke shfaqur një rritje pozitive ekonomike dhe financiare”.

Nishanit theksoi se “Ne jemi të ndërgjegjshëm se, ajo që pritet nga autoritetet shqiptare është rritja e nivelit të standardeve, dhe jemi tërësisht të angazhuar për përmirësimin e vazhdueshëm të tyre, për t’u integruar denjësisht në familjen evropiane”.

Nishani tha se shteti shqiptar është është kandidat potencial për anëtarësim në BE dhe në këtë kontekst, Këshilli i Evropës luan një rol të rëndësishëm. “Rol të rëndësishëm si vektor i politikës evropiane në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në forcimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Suksesi i Shqipërisë është i lidhur ngushtë padyshim, edhe me bashkëpunimin e frytshëm me Këshillin e Evropës”.

Më tej, Nishani theksoi dhe rolin e Shqipërisë në Rajon. “Me politikën e saj të matur dhe të moderuar, Shqipëria luan një rol stabilizues në rajon. Ndonëse një komb i vogël, Shqipëria mund të japë një mesazh të madh. Toleranca dhe harmonia fetare, një veçori unike shqiptare, është një model i bashkëjetesës në diversitet”.

I ndalur në Rajon, Nishani vlerësoi angazhimin e Këshillit të Evropës në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit, në zbatimin e projekteve specifike dhe atyre tematike.  Ndërsa i ndalur tek Kosova, Presidenti i Shqiëprisë tha se “Kosova duhet të jetë një zonë e sigurtë për të gjithë qytetarët e saj, ku standardet e Këshillit të Evropës të forcohen në mënyrë të vazhdueshme, ku instrumentet kryesorë evropianë të aplikohen plotësisht, së bashku me mekanizmat e tyre të kontrollit”.

Kreu i shtetit shqiptar sqaroi dhe pozicionin e Shqipërisë karshi Kosovës. “Pozicioni ynë është fare i qartë. Republika e Kosovës është tashmë një realitet dhe një faktor stabiliteti në rajon, i cili ka hedhur poshtë çdo skepticizëm. Çështja e statusit dhe integritetit territorial janë kapituj të mbyllur”, duke shtuar se Shqipëria mbështet një anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Sepse vetëm në një rast të tillë qytetarët kosovarë do përfitonin maksimalisht nga standardet e Këshillit të Evropës dhe do të kishin akses në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”. (LajmeShqip.com)