Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 11:27

Tiranë – Pas lajmit të publikuar në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, në lidhje me disa probleme shëndetësore të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka qenë vetë ky i fundit, që ka dhënë një deklaratë për mediat, për të sqaruar gjithcka dhe për të mohuar gjendjen e rëndë shëndetësore të tij. 
“Në këtë orë të vonë të natës, pas një dite të lodhshme, arsyeja e komunikimit me ju ishte për të përcjellë te qytetarët, miqtë dhe dashamirësit e mi, një mesazh. Kjo sepse, përpara disa castesh, disa burime dërguan në media të ndryshme një lajm spekulativ, sipas të cilit pretendohej për një gjendje shëndetësore timen shumë të rëndë, pas një operacioni që paskërkam kryer. Natyrisht që, dua të ndaj shqetësimin tim për shqetësimin e miqve, dashamirësve dhe qytetarëve, pasi bëhet fjalë për kryetarin e shtetit, por duke përfituar nga ky rast garantoj të gjithë qytetarët, që Presidenti është në krye të detyrës, do të përmbushë me dinjitet cdo detyrë dhe funksion kushtetues”, tha Nishani.
Më pas, u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, duke thënë: “Në drekë jam kthyer pas një vizite të suksesshme në Izrael, në orët e vona kam dretjtuar mbledhjen e KLD dhe më vonë jam drejtuar në banesë në Durrës, ku kam marrë vesh lajmin. Pas zgjedhjeve do të keni qëndrimin e Presidentit, por nesër, përmes jush, do i drejtohem qytetarëve me një mesazh që i takon Presidentit të Republikës”, përfundoi Nishani.