Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 13:30

Tiranë- Presidenti Bujar Nishani ka reaguar pas akuzave se bashkëshortja e tij është pronare mbi truallin ku ndodhet aktualisht godina e Partisë Demokratike. Nishani thotë se kjo është një shpfije.
“Sot, përfaqësues të lartë të shumicës së re qeverisëse, në vazhdën e shpifjeve të neveritshme dhe të përsëritura të këtyre ditëve, kanë adresuar publikisht akuza të paqena ndaj familjes së Presidentit te Republikës për të ashtuquajturën lidhje në pronësi mbi truallin ku sot ndodhet godina e selisë së Partisë Demokratike.
Institucioni i Presidentit të Republikës duke hedhur poshtë me përbuzje dhe neveri të tilla shpifje, deklaron me vendosmëri se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë”, thuhet në një deklaratë të Presidencës.
Sipas Nishanit, ndaj tij po ushtrohet një terror psikologjik.
“Ky akt i turpshëm shpifjeje dhe ky sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik, synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës dhe të ndalë ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga ana e Kreut të Shtetit”, shprehet Nishani, shkruan tema.
Ai ka kërkuar nga ana e prokurorisë që të nisë hetimet, për atë që Nishani e cilëson si shantazh ndaj presidentit.
“Me këtë rast dhe në këto rrethana, Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë procedurën e hetimit penal ndaj këtij shantazhi që po i bëhet Kreut të Shtetit shqiptar”, shprehet Nishani.
Ai ka kërkuar gjithashtu nga Rama, që të ndalë sulmet ndaj tij.
“Presidenti i Republikës, lidhur me të njëjtin problem, i kërkon gjithashtu Zotit Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste propozuar nga shumica e re për postin e Kryeministrit, ta ndalë urgjentisht këtë fushatë të ulët, të padrejtë dhe të padenjë, kundër Kreut të Shtetit”, thotë Nishani.
“Ftoj me këtë rast cilindo shtetas shqiptar që çdo pretendim për shkelje të Ligjit nga ana e Presidentit të Republikës ta denoncojë normalisht në institucionet përkatëse të drejtësisë.
Institucioni i Presidentit të Republikës, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk duhet, nuk mund, dhe nuk është përfshirë kurrë në luftën politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare.
Presidenti i Republikës i siguron qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast të përmbushjen e detyrave kushtetuese, sado të rrejshme qofshin shpifjet, dhe sado të ulëta dhe të padenja shantazhet”, mbyllet deklarata./b.l