Lajme Shqip Tuesday, 10 September 2013 10:54

Tiranë- Pas dorëheqjes së Sali Berishës si kryeministër, mandatohet Edi Rama si kreu i qeverisë që do të drejtojë vendin. Sot Presidenti u takua me Edi Ramën, kryeministri i propozuar nga mazhoranca e dalë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit.

Zyra e shtypit e Presidencës se takimi do të zhvillohej në orën 10.00, në Presidencë, dhe kryeministri i propozuar Edi Rama e zbatoi më përpikmëri orarin. Ai mbërriti në orën 09:56 minuta në godinën e Presidencës ku dhe u takua me Nishanin i cili e mandatoi per formimin e qeverisë së re. Ashtu sic parashikon Kushtetuta, Kreu i Shtetit takon Kryeministrin e propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, për ta mandatuar me detyrën e krijimit të Qeverisë së re.

Sapo kanë shtrënguar duart, Nishani i ka dorëzuar Ramës dokumentin ku e ngarkon për formimin e qeverisë së re.

Takimi zgjati rreth 30 minuta dhe ne orën 10 e 40 minuta, rama la godinën e Presidencës.

Vetë Presidenti bëri të ditur ditë më parë se me të ardhur propozimi brenda datës 10 shtator mund të dekretohet kryeministri i ri.

Ky takim zhvillohet një orë para fillimit të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërise ku pritet paraqitja e raportit të verifikimit të mandateve të secilit prej deputetëve fitues në zgjedhjet e 23 qershorit, të cilët më pas do të bëjnë dhe betimin. Kushtetuta bën të qartë rrugët dhe afatet ligjore brenda së cilës duhet të bëhet rotacioni politik nga PD-ja tek PS-ja, konkretisht si formohet qeveria e re. Në kapitullin e pestë të Kushtetutës është përcaktuar mënyra se si formohet Këshilli i Ministrave. Neni 95 i ligjit themeltar të shtetit shqiptar përcakton se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore”.

Në një nen më poshtë përcakton procedurën e formimit të qeverisë së re. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, – thuhet në nenin 96 të Kushtetutës. Mbi bazën e kësaj prerogative, partia ose koalicioni fitues duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit të ri, tashmë të përcaktuar, Edi Rama. Pra, Partia Socialiste, si kryesuese e koalicionit të majtë, do t’i propozojë emrin e Ramës për kryeministër. Pas këtij veprimi, emri i kryeministrit duhet të kalojë provën në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave, që pritet të ndodhë në seancën e sotme. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, – thuhet në nenin 97 të Kushtetutës./BW/