Lajme Shqip Saturday, 15 September 2012 08:23

OHER- Ka qenë një takim “sportiv” ai mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe homologut të tij maqedonas, Gjeorgje Ivanov. Siç theksojnë mediat vendase, risia e këtij takimi është se dy presidentët u takuan në një imazh të veçantë, pa kollare. Takimi mes dy Presidenteve eshte mbajtur në vilën presidenciale “Biljana” në Ohër.

Gjatë takimit, Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria dëshiron të shohë më shumë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se; “Marrëveshja e Ohrit përbën një themel të sigurt ligjor për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë.”

Në komunikatën e Presidentit, Ivanov thuhet se në fokusin e bisedimeve kanë qenë marrëdhëniet e deritanishme dypalëshe dhe fushat që duhet rritur bashkëpunimi.

Të dy Presidentët vlerësuan se marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve kanë arritur një nivel të kënaqshëm, duke theksuar se është e nevojshme që të punohet më shumë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e turizmit, energjitikës, infrastrukturës, transportit hekurudhor, rrugor e liqenor, arsimit, kulturës dhe veçanërisht në zbatimin e projekteve me rëndësi prioritare.

Nishani ka patur një takim “tetë-a-tetë” me homologun e tij, dhe më pas u janë bashkangjitur edhe anëtarët e tjerë të delegacioneve. Në asnjërin prej takimeve nuk janë lejuar mediat. Ky ka qenë edhe takimi i parë i dy presidentëve, pas marrjes së detyrës nga, Bujar Nishani.(LajmeShqip.com)