Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 12:42

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti Nishani theksoi se “sot Kosova me gjithë sfidat e mëdha gëzon një status të ri, plotësisht të merituar në rajon edhe përmes të gjithë nismave dhe angazhimeve të saj në forumet rajonale dhe ndërkombëtare”

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po jep një kontribut të qenësishëm në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal dhe praktikat e respektimit të pakicave kombëtare në Kosovë, që duhet të merren si shembull nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit”, deklaroi sot në Tiranë, presidenti Bujar Nishani.

“Statusi i ri i Kosovës e gjen edhe në dialogun e vendosur me Serbinë të dy shtetet janë në pozicione të barabarta”, nënvizoi Nishani duke shtuar se Shqipëria e ka mbështetur në vijimësi këtë proces dhe produktet e tij me pritshmërinë legjitime e të nevojshme që çdo marrëveshje e arritur të zbatohet me shpejtësi dhe plotësisht.

Kreu i Shtetit shprehu bindjen se zbatimi i angazhimeve të marra në kuadër të këtij dialogu do të shërbejë në normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve Kosovës e Serbisë, por njëkohësisht do të vazhdojë të çlirojë energji pozitive për gjithë rajonin.

“Kosova ka përpara sfida si çdo njëri prej vendeve të rajonit. Shqipëria e mirëpriti dhe mbështeti vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale duke vlerësuar se marrja e këtij vendimi ishte i vështirë, por e duhura pasi vetëm kështu mund të hidhen poshtë të gjitha pretendimet e ngritura”, u shpreh Nishani.

Presidenti Nishani tha se asgjë dhe askush nuk e tjetërson dot luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës në përballje me agresionin dhe gjenocidin çnjerëzor Millosheviqian.