Lajme Shqip Saturday, 29 September 2012 09:30

NJU JORK- Në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon., të cilin e ka ftuar edhe për një vizitë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Ban Ki Moon përshëndeti zhvillimet në vendin tonë duke e cilësuar vendin modern dhe me përparim të shpejtë. Sekretari i Përgjithshëm përgëzoi Nishanin për organizimin e suksesshëm në Tiranë të Konferencës mbi procesin “Një OKB”, si dhe e falenderoi Presidentin për rolin moderues që Shqipëria luan në rajon dhe e inkurajoi të vazhdojë në këtë drejtim.

Vetë Presidenti Nishani,  uroi Sekretarin e Përgjithshëm për mandatin e dytë në detyrë dhe e siguroi për mbështetjen e pa rezervë të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit vlerësoi lart rolin e veçantë që ai ka luajtur në disa nga çështjet më të rëndësishme të agjendës ndërkombëtare, si lufta kundër varfërisë, mbështetja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe barazia gjinore.

Presidenti Nishani vlerësoi qëndrimin koherent të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi zhvillimet në rajon, paqen dhe sigurinë atje dhe në mënyrë të veçantë të gjitha aspektet që lidhen me Kosovën.(LajmeShqip.com)