Lajme Shqip Friday, 20 September 2013 14:20

Tiranë- Dy prej bashkëpunëtoreve më të hershëm të ish-Kryeministrit Sali Berisha bëhen pjesë e stafit të Presidentit Bujar Nishani. Ky i fundit firmosi dje për emërimin e Gjergj Lezhjes dhe Ylli Asllanit si këshilltarët e tij më të rinj. Ish-sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, z.Gjergj Lezhja është emëruar këshilltar për sigurinë e kreut të shtetit. Edhe ish-këshilltari për Pushtetin Vendor në Kryeministri, Ylli Asllani është emëruar si këshilltar i z.Nishani po për çështjet lokale.

Të dy këshilltarët e rinj të Presidentit Bujar Nishani konfirmuan për “Gazeta Shqiptare” emërimin në Presidencë. “Po, është e vërtetë që jam emëruar këshilltar i z.Nishani. Sot (dje) është firmosur emërimi im si dhe u bë prezantimi. Unë jam emëruar këshilltar për çështjet e sigurisë”, u shpreh z.Lezhja. Kurse z.Asllani ndjehet i vlerësuar për besimin që i dha kreu i shtetit, të cilën do ta përkthejë si një përkushtim ndaj detyrës së re. “Unë do të jem këshilltar i çështjeve për pushtetin vendor. E konsideroj një vlerësim nga ana e Presidentit Nishani për besimin që më dha si këshilltar i tij. Nga ana ime do të ketë një përkushtim në detyrën që mu besua, për të krijuar një model të ri, një marrëdhënie të re mes Presidencës dhe pushtetit vendor, një prioritet i punës për vet rëndësinë që kanë çështjet e pushtetit lokal”, theksoi z.Asllani. Ai tregon momentin e propozimit që i bëri z.Nishani për të qenë pjesë e stafit të tij: “Më ka thirrur në zyrë z.President dhe më tha: “A do të punosh me mua si këshilltar i pushtetit vendor” dhe unë pranova. Z.Nishani sot (dje) firmosi emërimin dhe më pas u bë edhe prezantimi”.

Si z.Gjergj Lezhja ashtu dhe z.Ylli Asllani janë dy prej bashkëpunëtorëve më të vjetër të ish-Kryeministrit Sali Berisha, si në Partinë Demokratike ashtu dhe në Kryeministri përgjatë 8 viteve të qeverisjes së djathtë. Gjergj Lezhja ka qenë shef i departamentit të organizimit në PD gjatë kohës që ishin në opozitë, ndërkohë që me ardhjen në pushtet të demokratëve ai ishte zëvendësministër i Brendshëm dhe më pas mbajti pozicionin e sekretarit të përgjigjëm të Kryeministrisë. Po ashtu edhe Ylli Asllani është një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të z.Berisha dhe një njohës i mirë i çështjeve vendore. Ai është aktivist i PD-së që në themelimin e saj, anëtar i Këshillit Kombëtar si dhe ish- këshilltar i Berishës për çështjet e pushtetit lokal në Kryeministri./bw/