Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 15:36

Tiranë – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, vlerësoi sot nivelin e lartë të bashkëpunimit mes strukturave policore të Shqipërisë dhe Greqisë, i cili, siç u shpreh ai, ka sjellë rezultate të shkëlqyera në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe trafiqeve të paligjshme.

Deklarata e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, u bë të hënën gjatë një takimi në Tiranë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë greke, Eleftherios Ikonomu.

Zyra e shtypit e ministrisë së Brendshëm bëri të ditur se në qendër të bisedimeve mes dy zyrtarëve të lartë, ishte bashkëpunimi i frytshëm mes policive të dy vendeve, rezultatet e arritura në goditjen e kriminalitetit, krimit ndërkufitar, trafikut të narkotikëve dhe  qenieve njerëzore, trafikut të mjeteve motorike, goditjes së krimeve kompjuterike , goditjes së aseteve kriminale, si dhe për krijimin e një qendre të përbashkët të shkëmbimit të informacionit mbi aktivitetin kriminal në Shqipëri dhe Greqi.

“Bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe asaj greke është një shembull i shkëlqyer në rajon e më gjerë dhe këtë e dëshmojnë rezultatet e larta në fusha të ndryshme të goditjes së kriminalitetit, konkretisht në goditjen e krimit ndërkufitar, të trafikut të narkotikëve, trafikut të qenieve njerëzore, trafikut të mjeteve motorike, të goditjes së krimeve kompjuterike apo të goditjes së aseteve kriminale”, shpreh Nishani.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar në takim ishte dhe shqetësimi që ministri Nishani shprehu për vonesat që u krijohen qytetarëve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar të Greqisë gjatë sezonit veror, apo festat tradicionale që festohen në Shqipëri.

Nishani evidentoi faktin se “lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë që prej 15 dhjetorit 2010 në zonën “Shengen” nuk ka shfaqur asnjë indikacion të karakterit kriminal dhe të kundraligjshëm, por është kryer në kushte mirëbesimi, respekti dhe disipline si të çdo qytetari europian”.

Në takim ministri Nishani ngriti edhe shqetësimin e disa qytetarëve shqiptarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në Greqi dhe veç kësaj u janë dëmtuar dokumentat e udhëtimit.

Në përgjigje të shqetësimeve të ministrit Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke, Eleftherios Ikonomu, garantoi nga ana e tij ngritjen sa më shpejt të një grupi të përbashkët pune për të marrë masat e nevojshme që të mos përsëritet më dukuria e vonesave të pajustifikuara për qytetarët shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar.

Duke e cilësuar të papranueshme një sjellje të tillë nga pala greke, sikurse është dëmtimi i pasaportave të udhëtimit, Ikonomu  kërkoi nga policia shqiptare që në çdo rast  të informojë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Greqisë, duke garantuar se do të marrë masat e duhura për të shmangur çdo incident të tillë të mundshëm.

Gjatë takimit Nishani garantoi mbështetjen e plotë për të përparësuar angazhimin dypalësh për krijimin e një qendre të përbashkët të shkëmbimit të informacionit mbi aktivitetin kriminal në Shqipëri dhe Greqi, si dhe inkurajoi formalizimin e takimeve periodike të strukturave policore për të gjitha fushat e luftës kundër veprimtarive kriminale.