Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 13:23

Prishtinë (PLOTESUAR 27 shkurt, 16:50) Ka përfunduar pa incidente protesta katërorëshe e Vetëvendosjes para Qeverisë së Kosovës, në kundërshtim të marrëveshjes me Serbinë rreth pjesëmarrjes në nismat rajonale, tashmë të njohur si “Marrëveshja Fusnota”.

Në mbyllje të saj lideri i Vetëvendosjes ka paralajmëruar protesta të tjera. “Do të ndodhë Pranvera kosovare”, është shprehur ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur marrëveshje personale të kryeministrit Thaçi, për të cilën nuk duhet të obligohen institucionet e Kosovës. “Qeveria në këto bisedime po merr vendime në kurriz të qytetarëve të Kosovës, pra kjo protestë demokratizon Republikën të cilën na e hoqi kryeministri”, është shprehur Kurti në një prononcim për KTV-në.

Ai ka paralajmëruar se protesta e sotshme është vetëm fillimi i kundërshtimeve të kësaj lëvizje, sepse do të vazhdohet me protesta në të gjitha qytetet e Kosovës.

********************************

Prishtinë (PLOTESUAR 13:50) Siç raporton KTV, protestuesit kanë hequr pengesat në Sheshin Skenderbeu, që i ndanin nga ndertesa e qeverisë dhe tashme ata ndodhen rreth 50-60 metra nga ndërtesa.

Heqja e barrierave të vendosura nga forcat e rendit ka shkaktuar momente tensioni mes policise dhe protestuesve. Po sipas KTV, vërehen forca të shtuara të Policisë në kryeqytetet dhe rrethoja mbrojtëse para Qeverisë së Kosovës.

Besohet se janë më shumë se 2 mijë policë të angazhuar për të ruajtur rendin gjatë kësaj proteste. Liderët e Vetëvendosjes u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve që të mos shkaktojnë incidente, duke thënë se qëllimi i protestës nuk është marrja e institucioneve por bllokimi i punës së qeverisë për katër orë.

*****************************

Prishtinë-Ka nisur me tensione protesta e Vetëvendosjes para ndërtesës së qeverisë kundër marrëveshjes së fundit që Prishtina ka arritur me Beogradi, e sipas së cilës, Kosova në forumet rajonale, do të mund të përfaqësohet vetëm duke u shoqëruar me fusnotën në të cilën është përfshirë rezoluta 1244 e KS të OKB-së.

Siç raporton KTV, vërehen forca të shtuara të Policisë në kryeqytetet dhe rrethoja mbrojtëse para Qeverisë së Kosovës. Pamjet e transmetuara flasin për momente tensioni mes policisë dhe protestuesve.

Rrethojat mbrojtëse janë vënë para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, ndërsa para Teatrit Kombëtar lëvizja Vetëvendosje po u drejtohet pjesëmarrësve. Ndërkohë liderët e Vetëvendosjes i bën thirrje ultimative policisë që brenda 15 minutash t’i heqë rrethojat, në të kundërtën këtë do ta bëjnë protestuesit.

Qindra protestues, me pankarta të shumta dhe thirrje të vazhdueshme, “Poshtë fisnota”, “Poshtë qeveria”, “Hashim Thaçi shiti Kosovën” po vazhdojnë të protestojnë përderisa, përreth objektit të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, janë forca të shtuara të policisë së Kosovës, midis të cilëve edhe pjesëtarë të policisë speciale.

Para protestuesve është parë, lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Visar Ymeri, Shpend Ahmeti dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj lëvizjeje.

Disa orë më parë, përfaqësues të Vetëvendosjes kanë kërkuar nga Policia e Kosovës që të mos i bllokojë rrugët dhe trotuaret dhe të mos i provokojë demonstruesit. Për t’u kujdesur që demonstrata të shkojë mirë, të njëjti kanë bërë të ditur se Vetëvendosje ka organizuar mbi 500 aktivistë – kujdestarë.