Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 13:24

Në ora 00:00 të ditës së sotme, qeveria e Kosovës ka filluar të zbatojë miratimin e vendimit me të cilën qytetarët e Luginës së Preshevës nuk do të paguajnë sigurimin e veturave prej 20 euro.

 

Kush paguan e kush nuk e paguan këtë taksë?

 

Me të filluar dita e sotme, qytetarët e Luginës së Preshevës që sot ishin nisur drejt Kosovës, në vendkalimin kufitar, nuk e kishin pritur apo nuk e kishin menduar se dikush do të paguaj e dikush nuk do të paguaj.

Të gjithë ata, që veturën që e vozitin, nuk e kanë të regjistruar në emër të tyre, prapë do të paguajnë taksën prej 20 euro për të hyrë në Kosovë.

“U desht të paguaj prapë, edhe pse vetura është pronë e imja, mirëpo nuk e kam me targa VR, gjegjësisht veturën e vozis me autorizim. Më detyruan ta paguaj prapë 20 euro”, tha R.I për presheva.com, i cili në mëngjes kishte kaluar kufirin.

Edhe V.H, i cili punon në Kosovë, ishte nisur me veturë e cila është e regjistruar në emër të babait, është detyruar ta paguaj taksën prej 20 euro.

“Njëjtë. Unë voziti veturën e cila është e regjistruar në emër të babait, dhe nuk munda ta kaloj kufirin pa e paguar taksën”, ka thënë ai për portalin “Presheva”.

 

Si shkon procedura?

 

Siç ka mësuar ky portal, gjatë kalimit kufitar, të gjithë ata që tashmë i plotësojnë kushtet për të mos paguar, gjegjësisht kanë veturën të regjistruar në emër të tij, duhet të paraqiten në vendin ku kanë paguar më herët sigurimin.

Aty duhet të jepet letërnjoftimi dhe libreza e veturës, dhe nga sigurimi merr të njëjtën letër që ka qenë më herët, përveç se tani nuk paguan 20 euro.

Kjo letër e sigurimit ka afat kohor prej 2 javësh, çka do të thotë se të njëjtën procedurë që ka qenë më herët në kufi vozitësit duhet ta kryejnë.

Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se harxhimet që do të bëhen me këto taksa do t’i paguajë qeveria.

“Unë kam vendosur që për t’iu lehtësuar qarkullimin qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës në drejtim të Kosovës të heqim plotësisht taksat për veturat, pra për lëvizjen e lirë, në mënyrë që të krijomë kushte dhe rrethana shumë më të lehta për lëvizje. Nga 21 tetori i këtij viti do të hiqen plotësisht taksat për veturat që hyjnë në Kosovë dhe dalin. Këto obligime do t’i merr Qeveria e Republikës se Kosovës”, kishte deklaruar kryeministri Thaçi.

Që në mëngjes ishin vërejtur turma të mëdha për ta kaluar kufirin. /presheva/