Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 13:45

Nipi i kryeministrit Berisha, Dritan Berisha është rikthyer në strukturën e Ministrisë së Brendshme, pak vite pas përjashtimit zyrtar nga ana e Ministrisë së Brendshme me motivacionin për thyerje të rëndë të disiplinës.

Sipas faqes online të ambasadës së Shqipërisë në Romë, që mund të shihet në adresën ëëë.ambalbania.it, Dritan Berisha, djali i vëllait të kryeministrit Sali Berisha është në fund të listës së stafit diplomatik, me detyrën Oficer i Kontaktit në Kancelarinë Konsullore në rrugën “Asmara, 3”, pranë ambasadës shqiptare në kryqytetin italian.

Rikthimi i nipit të kryeministrit Berisha është i dyfishtë: ai rikthehet në përbërje të Ministrisë së Brendshme, e cila e kishte përjashtuar nga radhët e saj në qershor 2006 dhe kësaj radhe si përfaqësues i saj, shërben në zyrën konsullore të ambasadës së Shqipërisë në kryeqytetin Italian, Romë. Sipas burimeve nga ministria e Punëve të Jashtme, raporton Shqiptarja.com, Dritan Berisha shërben bashkë me bashkëshorten, e cila punon në zyrën konsullore.

Dritan Berisha ishte përjashtuar nga radhët e policisë së shtetit në fund të qershorit 2006, pas një ngjarjeje të rëndë ku, bashkë me vëllanë, ishin konfliktuar me një djalë nga Vlora, të cilin e kishin qëlluar me pistoletë. (Shqiptarja.com)