Lajme Shqip Saturday, 19 October 2013 22:50

Gombar Alojz, nipi i nobelistes shqiptare Nëna Tereze po kërkon pronën e tij të trashëguar në qendër të Shkupit.

Ai vite me radhë ka kërkuar të drejtën e pronës së tij të trashëguar nga familja Bojaxhiu, ndërsa për këtë disponon me të gjitha tapitë, dëshmitë dhe dokumentacionet përkatëse.

Kjo pronë i është shitur kompanisë “Amadeus Development”, e cila do të ndërtojë një ndërtesë 16 katëshe me të ashtuquajturat shkallë spanjolle, dy karroca me kuaj në hyrje si dhe 25 skulptura në pjesën e jashtme. Me këtë ndërtim do të mbyllet pjesa e vetme e hapur në sheshin e Shkupit, ku janë të gjitha ndërtimet “Shkupi 2014. Në këtë lokacion më parë ishte paralajmëruar ndërtimi i kishës “Shën Konstantini dhe Elena”

Kjo pronë e familjes së Nikollë Bojaxhiu, babait të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezes u shit nga Qeveria për 1,6 milion euro, ndërsa sot aty qëndron vetëm një pllakë mermeri ku shkruan se aty ka qenë shtëpia e vërtetë e familjes Bojaxhiu dhe humanistes shqiptare.

Gombar Alojz, një argjendar i njohur në Shkup sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e komunës Qendër, Andrej Zhernovski, i cili i ka dhënë shpresë për mundësinë e kthimit të pronës apo shqyrtimit të saj. Ai ka thënë se tapia për pronësinë e tokës dhe shtëpisë i është dhënë nga Minsitria e Jashtme e Shqipërisë në vitin 1947 dhe se aty shkruhet se nëna e Gonxhe Bojaxhiu dhe familja e saj i japin në pronësi shtëpinë, hanin dhe oborrin të kusheririt të tyre Anton Josifovski, gjyshi i Gombar Alojzit.

Ai sot theksoi se qysh në vitin 2005 kishte dorëzuar kërkesë në Kadastrën e Shkupit për të nxjerrë fletërpronësi për pasurinë e tij, mirëpo deri tani pas tetë viteve nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndërsa zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë dashur të takohen dhe të komunikojnë rreth kësaj çështje. Alojz ka thënë se vite me radhë ka shëtitur nëpër institucione, por nuk ka qenë i mirëpritur dhe nuk i ka ndihmuar kush.

“Unë dua pronën time dhe të gjyshërve të mi, këtë e kërkojnë edhe fëmijët e mi”, ka thënë Gombar Alojz. Kryetari i komunës Qendër Andrej Zhernovski dhe ekspertë komunal kanë krahasuar tapitë e ofruara me Planin Detal Urbanistik të Shkupit duke konstatuar se pronësia nuk është kontestuese. Zhernovski ka premtuar se në mbledhjen e ardhshme të këshillit komunal do të diskutohet mbi këtë çështje dhe zgjidhjen e saj. Shtëpia e Nënës Terezë nuk u ndërua në vendin e saj ku sot qëndron pllaka dhe që tashmë është shitur nga shteti dhe do të ndërtohet një projekt si pjesë e ndërtimeve të “Shkupit 2014”.

Shtëpia e ashtuquajtur “Përkujtimore” e Nënë Terezes u ndërtua në një distancë më të largët përballë Filharmonisë së Maqedonisë, ku ka nisur ndërtimi i kishës ortodokse. Atëkohë kjo çështje kishte nxitur debate dhe reagime të shoqatave joqeveritare shqiptare dhe të intelektualëve shqiptarë, që kishin ngritur zërin që shtëpia e “Nënës Tereze” të ndërtohet në vendin e saj ku ka qenë, pikërisht në qendër të Shkupit. /ina/