Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 15:24

Tiranë – “Greva e urisë së minatorëve të Bulqizës e cila hyri sot në ditën e 9-të të saj, duke rënduar gjendjen e minatorëve nuk do të ndërpritet” tha Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj.

Sipas tij, “shumica e minatorëve të cilët ndodhen në grevë, kanë probleme me frymëmarrjen dhe shikimin, por janë të vendosur ta çojnë deri në fund atë”.

Ndërkohë nga mjekët mësohet se paraditen e sotme, njëri prej minatorëve Liman Isufi, ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndaj dhe është vendosur largimi i tij nga greva, duke u bërë kështu minatori i dytë që lë grevën për shkak të kushteve të rënda shëndetësore. Po ashtu mjekët bëjnë me dije se përveç Isufit janë dhe dy minatorë të tjerë në gjendje shumë të rëndë shendetësore.

Ndërsa përsa i përket kërkesave të minatorëve, Nikollaj reagon ndaj deklaratës për shtyp të mbajtur ditën e djeshme nga firma ACR, duke ritheksuar edhe njëherë vendosmërinë e minatorëve për të vazhduar grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre. Sipas tij, “ACR dhe qeveria, deri tani kanë qëndruar indiferente ndaj kërkesave të vërteta të minatorëve”.

ACR, Kompania austriake që ka në menaxhim minierën e Bulqizës, i ka bërë thirrje ditën e hënë minatorëve, për t’u kthyer në punë dhe të mos dëmtojnë minierën. Sipas përfaqësuesve të ACR-së është plotësuar kërkesa primare e minatorëve, ajo e rritjes 20 % të rrogës, ndërsa mund të diskutohet për kushtet e punës.

Në kërkesat e minatorëve përfshihet rritja e pagave në masën 20-40 për qind, largimi i drejtorit aktual të minierës së Bulqizës, përmirësimi i kushteve të sigurisë në punë, si dhe ulja e moshës së pensionit për minatorët.