Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 19:15

Tiranë – Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Republikës Federale të Gjermanisë, Dirk Niebel.

Kryeministri Berisha i shprehu ministrit Niebel falëndërimet e thella për ndihmën që qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë në 20 vitet e fundit, duke mbështetur reformat transformuese të Shqipërisë, si dhe për ndihmën e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian. Vlera e ndihmës gjermane në fushat prioritare, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik bilateral, arrin në 500 milionë euro, e fokusuar në sektorë shumë të rëndësishëm si energjetika, ujësjellës-kanalizime, arsimi, bujqësia, mbështetja e sektorit ekonomik, etj.

Në këtë aspekt, Kryeministri theksoi se projektet e mbështetura nga qeveria gjermane janë një histori e vërtetë suksesi në Shqipëri.

Ministri gjerman vlerësoi se transformimet që ka pësuar Shqipëria janë thelbësore dhe se ato janë ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në vendet e Evropës Juglindore, në këto 20 vjet.

Gjithashtu, Niebel theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një tregues domethënës i progresit që ka bërë Shqipëria, ndërsa nënvizoi se bashkëpunimi i Shqipërisë me Gjermaninë nuk është më thjesht si me një vend donator, por është një marrëdhënie mes partnerësh.

Niebel  rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë në të gjithë procesin e integrimit evropian, duke rritur edhe financimet e ardhshme për Shqipërinë.

Kryeministri Berisha e njohu ministrin gjerman me zhvillimet më të fundit dhe progresin e bërë nga Shqipëria në shumë drejtime, duke përmendur veçanërisht rritjen e qëndrueshme ekonomike, si dhe krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja direkt, siç edhe u konfirmua dhe në raportin e fundit nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Berisha rikonfirmoi edhe njëherë prioritetin e madh të qeverisë shqiptare, atë të integrimit evropian, për të cilin ajo po përmbush të gjitha angazhimet e saj në këtë proces.