Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 15:10

Prishtinë – E ndërsa vazhdon përforicimi i barrikadave nga serbët në veri të Kosovës, autoritetet kanë nisur hetimet për personat që nxisin bllokimin e rrugëve dhe dhunën ndaj ndërkombëtarëve. Por prokurori udhëheqës në hetimet për incidentet në veri që nga 25 korriku, Shyqyri Syla, thotë për Radion Evropa e Lirë se një pengesë në zhvillimin e hetimeve paraqet mungesa e lirisë së lëvizjes së pjesën veriore të Mitrovicës. “Për momentin nuk mund t’i bëj publik emrat për këto raste, për faktin se veprimtaria e tyre është duke zgjatur dhe dëmtohen hetimet. Pak e kemi të vështirësuar hetimin për shkak të lëvizjes. Ju po e shihni që as KFOR-i nuk mund të lëvizë andej, e lëre më hetuesit e Policisë së Kosovës dhe të policisë së EULEX-it. Kjo na ka paraqitur një vështirësi, mirëpo është duke u punuar shumë në atë drejtim”, thekson Syla.

Në fund të muajit tetor, Interpoli pati lëshuar fletë-arrestet për disa serbë të dyshuar rreth vrasjes së pjesëtarit të njësitit special të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i cili u vra gjatë aksionit policor të Prishtinës zyrtare për rikthimin e kontrollit në veri të Kosovës. Në listën e të kërkuarve të Interpolit figurojnë Ratomir Bozhoviç, Radovan Radiç, Millovan Vllashkoviç, Sllobodan Vuqiniç dhe Dushan  Jovanoviç. Por sa u takon barrikaduesve dhe nxitësve dhe organizatorëve të përforcimit të këtyre barrikadave, mekanizmat përgjegjës nuk duan t’i publikojnë emrat e të dyshuarve. Megjithatë, ata bëjnë të ditur se në kuadër të hetimeve do të analizohen edhe fotografitë e bëra dhe materialet e xhiruara nga media të ndryshme.

Në policinë e Kosovës thonë se nuk ka patur ende asnjë arrestim që lidhet me barrikadat serbe. Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thekson se prioritet mbetet zvogëlimi i rrezikut për shpërthimin e sërishëm të tensioneve. “Jo, gjithsesi prioritet është procesi dhe aksionet, të cilat ndërmerren me qëllim të largimit të këtyre barrikadave, pastaj vendosja e sigurisë dhe mënjanimi i çfarëdolloj mundësie për eskalim të situatës. Procesi i hetimeve sigurisht që nuk mund të kufizohet në afat kohor. Besoj që ajo do të ndodhë shumë shpejt, mirëpo në këtë fazë ne nuk kemi persona të arrestuar”, shprehet Hoti. Nga ana tjetër KFOR-i ka hedhur poshtë ekzistencën e ndonjë plani konkret për largimin e barrikadave.